Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi në autobusin që ai drejtonte, u gjetën të fshehura rreth 100 mijë euro.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet E. Rr., banues në Durrës, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Entry”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për mosdeklarim të të hollave në kufi. Kishte fshehur një shumë të madhe parash (euro) në tavanin e autobusit të linjës Bari-Durrës, me qëllim që të mos i deklaronte në hyrje të RSh-së, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari (drejtuesi i autobusit). Sekuestrohen 99 700 euro të ndara në 8 paketime.
Shërbimet e Policisë Kufitare në port Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e paligjshmërive dhe krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës dhe autoritetet doganore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Entry”.
Gjatë operacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, një autobus tip “Scania” i linjës Durrës-Bari-Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishëm në autobus, me metoda bashkëkohore, në pjesën e tavanit, janë gjetur 8 paketime me kartëmonedha në euro, gjithësej 99 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Rr., 37 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
()