TIRANË
Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka komentuar në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 qëndrimet dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama për situatën në veri të Kosovës si dhe ndaj homologut Albin Kurti.
Salianji i cilësoi përpjekje mjerane për vëmendje, goditje ndaj interesave të Shqipërisë dhe Kosovës më shumë.
Ai foli për një aleancë mes Ramës dhe Vuçiçit dhe kujton se kur Presidenti serb ishte para presioneve për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, kryeministri shqiptar nuk mbajti asnjë konferencë.
“Kjo është një ngjarje e rëndë. Është një lëvizje e rëndë në drejtimin e marrëdhënieve të dy vendeve. Dy kryeministra shqiptarë që nuk merren vesh me njeri-tjetrin. Në kushtet kur priten që Shqipëria të jetë pjesë e rëndësishme e ndihmës ndaj Kosovës, e vendos në pozitë më të vështirë Kosovën.
Nëse kjo është një ngjarje me pasoja të rënda për Kosovën, Shqipëria duhet t’i jetë afër dhe Shqipëria duhet të jetë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës dhe kur bën gabime, jo kur ka kërkesa të drejta.
Flasim për një situatë kur në Kosovë po hyjnë disa kryebashkiakë me legjitimitet të ngujuar, në Shqipëri në 2019 hynë kryebashkiakë me legjitimitet të ngujuar me polici.
Goditjet që i jep Kosovës nuk ka rëndësi marrëdhëniet personale, bashkërendimi i institucioneve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar duhet të jetë i domosdoshëm, por kjo nuk duhet të bëjë që kryeministri i Shqipërisë të flasë gjatë gjithë kohës për gabimet e kurthit dhe ta përmendë shkarazi Vuçiçin kur sot u arrestua një kriminel serb që godiste ushtarët e KFOR-it. Janë banda të organizuara nga shteti serb.
Nëse ka ngjarje të tilla, përplasje egosh personale, apo përpjekjesh për të marrë vëmendjen, apo t’i japim një dorë mikut Aleksandar, mbledhjet nuk kanë asnjë lidhje. Nuk zhvillohen mbledhjet për këtë çështje, as për Asociacionin, zhvillohen mes dy qeverive për të krijuar të gjitha facilitetet për një komb, për të kaluar drejt unifikimit”, deklaroi Salianji.
Sa i përket paralajmërimeve për sanksione, Salianji tha se Shqipëria duhet të ishte një zë i fortë në mbrojtje të Kosovës.
“Ne jemi në një situatë ku në çdo rast, nëse të gjitha vendet e tjera do të dilnin me reagime të forta kundër Kosovës, Shqipëria do duhet të ishte zëri kryesor në mbrojtje të saj. Nuk mund të jetë lehtësuese e Serbisë.
Kryeministri i Shqipërisë mban qëndrime në favor të Serbisë, reagim të ashpër, të fortë, dëmton dhe në arenën ndërkombëtare Shqipërinë, e bën qesharake vendimmarrjen e tij në raport me gjithë situatën. Ka një binom në këtë rajon dhe një aleancë të fshehtë ose publike mes Aleksandrit të Serbisë dhe Ramës së Shqipërisë.
Nëse ka të bëjë me faktorin ndërkombëtar, dje lexova Escobar që thoshte se Kurti është partneri ynë.
Kur Vuçiç ka pasur presion për të vendosur sanksione ndaj Rusisë nga faktori ndërkombëtar, Rama nuk ka dalë në ndonjë konferencë të jashtëzakonshme. Është përpjekje mjerane për vëmendje, goditje ndaj interesave të Shqipërisë dhe Kosovës më shumë. Imagjino se çfarë entuziazmi ka Aleksandri i Serbisë. Së pari, konsultohet me Albin Kurtin për draftin”, tha ai.
Ai ka kritikuar edhe punën e qeverisë për të mbrojtur shqiptarët që jetojnë në territore jashtë vendit.
“Kryeministri i Shqipërisë nuk është çështje qejfi. Ç’punë ka Rama të dalë sikur është mbi palët në raport me Serbinë e Kosovën kur ne jemi palë për të mbrojtur Kosovën.
Vendimi i Ramës nuk është presion ndaj Kurtit, por një goditje ndaj Shqipërisë e Kosovës. Nuk po kryejmë detyrimet as në Luginë e Preshevës as për shqiptarët në Malin e Zi. Në çdo rast shqiptarët jashtë territorit nuk kanë mbrojtje nga Shqipëria”, tha ai.