Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në aksin Elbasan-Peqin, ku për pasojë janë plagosur 5 persona dhe ka ndërruar jetë një tjetër.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Paulesh, ndërsa nga përplasja ka ndërruar jetë një 8-vjeçare.
Gazetari Fatmir Popja ka raportuar për se përplasja ka ndodhur rreth orës 14:50, kur një automjet me targa të Gostivarit që drejtohej nga një grua ka humbur drejtimin e lëvizjes dhe për pasojë ka ndërruar jetë një nga vajzat e saj.
Të plagosura kanë mbetur drejtuesja e automjetit, vajza tjetër e saj dhe 4 persona që ndodheshin në automjetin tjetër që u përfshi në aksident.
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Paulesh, shtetasja T. B., duke drejtuar automjetin tip “Golf”, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. H., banues në Kavajë.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë një shtetase e mitur 8 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtuese shtetasen T. B.
Gjithashtu, janë dëmtuar shtetasja T. B. dhe vajza e saj 11 vjeçe, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, edhe shtetasi A. H. dhe 2 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.