ANALIZA/ Andi Bushati: Mëkati i Safet Gjicit nuk është seksual, por i ngjashëm me atë të të zgjedhurve të tjerë që me taksat e qytetarëve bëjnë…

Nga Andi Bushati
Në momentin që më mbërritën në celular, pamjet prej hamshori të Safet Gjicit, ndjenja e parë që më erdhi, aty për aty, nuk ishte neveria, por mëshira. Me atavizmin e pakuruar të një mashkulli shqiptar, mendova vetvetiu: kujtdo mund ti ndodhë. Pak rëndësi kishin ofshamat e egra përballë femrës objekt, seksi në zyrën e kryebashkiakut, derdhja mbi tryezën ku qëndronin dosjet me “hallet e popullit”. Për shumë moralistë ato mund të përbënin lëndë të mjaftueshme për një skandal. Por brenda vetes, nuk e di se nga ç’skutë e errët, më buronte thirrja për ta justifikuar.

Për personazhin kisha vetëm përçmim. Nuk më shkuleshin nga mendja deklaratat e tij pro Edi Ramës, kur u konvertua me shpejtësi nga financues i PD, në rilindas, sapo ndryshoi pushteti. Nuk më ishin shqitur nga memoria vizive disa pamje filmike, kur si president i Kukësit, kishte porositur kameramanët ta filmonin përpara një thesi me para, duke i’u hedhur shuka me lekë, si shpërblim, futbollistëve që kishin fituar një ndeshje të rëndësishme. Nuk e kisha harruar fushatën bajate në Kamëz, atë të këtij maji me vallen e Kukësit, apo gafat prej analfabeti që patën raportuar mediat nga aktiviteti si kryebashkiak.

Pra, në politikë e përçmoja si një nga më banalët e aradhës së gërditshme të rilindjes.

Pavarësisht nga kjo rrekesha ta shihja si viktimë. Jo vetëm se në shikimin e parë të imazheve të videoskandalit mu krijua përshtypja se dikush qëndronte pas lëvizjes së kamerës që po e përgjonte. Por sepse tentoja të mirëkuptoja botën shpërthyese të emocioneve apo epsheve, që ndonjëherë e mund njeriun që ka detyrimin për tu sjellë në mënyrë korrekte. Një “coup de foudre” momental, një adulter pasionant, një rikthim te një histori e lënë pas krahëve, mund ta nxjerrin nga binarët dhe burrin më fortë, duke e detyruar për ta përdorur edhe zyrën e shtetit, si strofkë të pasioneve shtazarake momentale. Gabim që e kreu aktin në një mjedis publik, por le ta hedhi gurin e parë ai që nuk e ka bërë, apo që nuk e ka imagjinuar se mund ti ndodhë, mendoja. Pra, sensi i drejtësisë për të mos fajësuar dikë, për atë që mund ti ndodhë shumëkujt, më çonte drejt tendencës për justifikim. Prandaj dhe i’u shmanga ekstazës linçuese që u përhap si epidemi në rrjetet sociale.

Kur e dëgjonin këtë arsyetim, disa nga miqtë, apo sidomos mikeshat e mia, më akuzonin për një solidaritet të sëmurë masklilist. Edhe pas këtij turpi rrekesh të gjesh stërhollime psikologjike, ma akuzonin. Kulmin e arriti një i panjohur që më shkroi në imbox: “ore ti që na çan drasat për ditë kundër qeverisë, ça mize të djeg që tani ke mbyll gojën”?

Në fakt do kisha vazhduar të heshtja, në këtë përleshje të pamundur me gardianët e moralit, në sfidën e përhershme të atyre që fitojnë kredite duke shkelur mbi viktima, sikur mos ishte shfaqur pjesa tjetër e videos, prej gazetarit investigativ Artan Hoxha.

Pasi e pashë me vëmendje atë, kuptova se gjithçka është shumë më banale, sesa debati mes sensit të detyrës, apo mëkatit të pasionit. Thelbi i asaj ç’ka tregonin ato pamje nuk qe shkelja e ceremonialitetit të institucionit, në dëm të pasioneve të pakontrolluara, por shfrytëzimi i pozitës si pushtetar për të palluar.

Pra, ekuacioni ndryshon katërcipërisht, pasi nuk kemi të bëjmë me rastin e një njeriu që kishte një lidhje dhe përdori mjedisin e bashkisë si motel për ta konsumuar atë. Në të kundërt, Safet Gjici kishte fuqinë për të bërë favore, dhe kjo pavarësisht, pamjes, formimit, edukatës, fjalorit, i dha atij mundësinë e shijimit të mishit të bardhë. Ai nuk qe kryebashkiaku që shkërdheu zyrën. Ai përdori pozitën si politikan, për të realizuar atë që nuk bënte dot si mashkull.

Në këtë kuptim, mëkati i tij nuk është seksual, por i ngjashëm me atë të qindra të zgjedhurve të tjerë që përdorin taksat e qytetarëve për qëllime shumë më “të moralshme” sesa ky, si pagesa e shkollës private për fëmijët, apo e një çante të shtrenjtë për bashkëshorten. Në një shoqëri ku morali patriarkal, sundon mbi atë qytetar, këta të dytët konsiderohen burra të ndershëm, ndërsa Safetit të gjorë i gjuajnë me gurë. Dhe kështu do të ndodhë deri sa të arrijmë të kuptojmë se, në fakt janë e njëjta gjë. Ndahen vetëm në një pikë, nga mënyra se si e konsumojnë pushtetin e pamatë që na kanë rrëmbyer./Lapsi.al/

Arena e Lajmit


ANALIZA/ Andi Bushati: Mëkati i Safet Gjicit nuk është seksual, por i ngjashëm me atë të të zgjedhurve të tjerë që me taksat e qytetarëve bëjnë…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook