Kosova pësoi humbjen e parë në këto kualifikuese të “Euro2024”. “Dardanët” bien në transfertë përballë Bjellorusisë, një humbje që “djeg” shumë dhe trazon jo pak ambientin në radhët e përfaqësueses së Kosovës. Pas një pjesë të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, Bjellorusia gjeti dy gola të shpejtë brenda dy minutash. Në minutën e 73-të, Morozov realizoi golin e parë, ndërsa dy minuta më pas një gafë në mbrojtjen e Kosovës solli dhe golin e dytë për Bjellorusinë.
Në të 87-tën, dardanët ngushtuan shifrat në 2-1 me Vedat Muriqin që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Pas katër ndeshjeve, Kosova renditet në vendin e pestë me 3 pikë në 4 ndeshje. Kjo humbje ka bërë që stoli i trajnerit Giresse të lëkundet ndjeshëm.
Zhgënjen edhe Zvicra në Grupin I me helvetët që dalin me një pikë pas barazimit 2-2 përballë Rumanisë. Amdouni realizoi një “dopjetë” golash në pjesën e parë, por në fraksionin e dytë në fundin e ndeshjes, Rumania i befasoi duke shënuar dy gola të shpejtë, në minutën e 89-të dhe në të 92-tën. Pavarësisht këtij barazimi, Zvicra kryeson Grupin I me 10 pikë pas 4 ndeshjeve, dy më shumë se Rumania.
()