Dështimi për të fituar trofe në sezonin e fundit, ka pasur fatura të shumta te Vllaznia dhe përveç trajnerit që u shkarkua, ishte edhe drejtori sportiv Vioresin Sinani ai që u largua nga posti duke e lënë vendin për Elvis Plorin.
Ky i fundit, ishte trajneri i Vllaznisë U21 me të cilët fitoi titullin e tashmë, kjo grupmoshë do të ketë në krye të stolit Vioresin Sinanin. Ish-sulmuesi i kuqebluve ulet nga pozita në këtë mënyrë, teksa vetë klubi shkodran e ka zyrtarizuar këtë lëvizje.
“KF Vllaznia bën të ditur se nga sot ka emëruar z. Vioresin Sinani në rolin e trajnerit të ekipit U21 të Akademisë tonë. Ai do të nisë menjëherë punën për seleksionimin e elementit cilësor dhe harmonizimin e tij me ekipin e parë.
Klubi i uron suksese Sinanit në detyrën e tij të re, të cilën besojmë se do ta bëjë me shumë devotshmëri ashtu si çdo detyrë tjetër që i është ngarkuar më parë”, shkruan klubi shkodran./PANORAMASPORT