Vetëm 10 milje e ndanë avokaten Eva Buzon për të thyer ndoshta një Record Guiness në not. Ajo mori përsipër sfidën për të kaluar nga Kanali i Otratos për në brigjet shqiptare, nga prej ku ka edhe origjinën, po ky rrugëtim u ndal në mes.
Teksa përshkroi një distancë prej 28 orësh me not, avokatja 36-vjeçare e ndërpreu këtë eksperiencë, për shkak të gjendjes shëndetësore që po i rëndohej, por edhe djegies nga një kandil. Në një prononcim për mediat, notarja Eva Buzo tha se kishte edhe një sërë faktorësh të tjerë për të cilën vendosi të tërhiqej nga gara edhe pse pranoi se tundimi për të vazhduar pavarësisht gjithçkaje ishte shumë i madh, ku me objektivin primar e ndanin vetëm 10 milje.
“Ideja nisi në pandemi. Nisi e gjitha në pandemi. Nisa të notoja me Vladin, zakonisht unë udhëtoj shumë për punë dhe nuk arrij dot të mbaj një rend stërvitor. Por në pandemi ngeca në Australi e nisa të notoja. Ai stërvit disa nga notarët më të mirë të maratonave. Dhe unë dëshiroja të gjeja një intenerar notimi që kishte një domethënie për mua. Ky ishte një intenerar që nuk ishte bërë deri tani, sipas Federatës së Maratonave.
U mundova të jap më të mirën, po ishte e vështirë. Në këtë notim, ishte e vështirë me erën dhe i thash vetes: “fillo të notosh”. Kur e fillova në fillim e nisa ngadalë dhe në darkë kisha menduar se shpejtësinë do e kisha më të madhe, po kjo nuk ndodhi, një kandil më dogji në krah dhe nuk arrita qëllimin që kisha. Efektet anësore, si koha, darka dhe mjegulla, ndikuan që mos të përfundoja garën. Gjyshi im ka lindur në Shqipëri, emigroi dhe ne jetojmë në Australi. Është një komunitet i madh shqiptar, traditat që kishim nga gjyshi doja ti sillja për hir të tij përmes kësaj eksperience”, tha ajo.
Trajneri i Eva Buzos e cilësoi atë si një heroinë, e për të, ajo që ka bërë notarja është e pa imagjinueshme.
“Ajo është një heroinë, për mua ia doli. Ne e kemi të vështirë të ecim në këmbë për 28 orë pa ndalim, po të notosh?”, tha ai.
Buzo u nis nga Ortranto në drejtim të Shqipërisë. Në këtë eksperiencë sa të veçantë aq dhe të rrezikshme atë e shoqëronin dy varka ndihmëse dhe një varkë 12.5 metra e gjatë. Sipas mediave në Itali notares i duheshin 40 orë not pa ndërprerë për të mbërritur në qytetin e origjinës, nga të cilat ajo përshkroi plot 28.
()