Analisti Dritan Hila, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me situatën në Kosovë në kuadër të tensioneve të vazhdueshme me Beogradin.
Hila ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Rama si edhe atë të kreut të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti duke thënë se Rama nuk ka “luksin të futet në llogore” me homologun e tij në këto momente.
Sipas tij Kurti në këto momente ka shkuar përtej limitit me ndërkombëtarët për shkak të shtimit të kërkesave ndaj tyre, nga 3 në 8 të tilla. Ai u shpreh se kjo është një politikë për të mos avancuar drejt zgjidhjes së situatës me Serbinë.
Hila shtoi se Rama nuk ka peshë në këtë çështje dhe se Evropa nuk e sheh veprimtarinë e tij si protagonizëm.
“Diplomacia zhvillohet nën hijen e topave, por as Rama e as Kurti nuk kanë topa. Janë liderë të dy shteteve të vogla dhe problematikë. Shqipëria vazhdon e prodhon probleme. Në këto kushte Rama nuk ka luksin të futet në një llogore me Kurtin në këto momente. Kurti ka shkuar përtej limitit. Nga 3 kërkesa që kishte para 3 ditësh, sot ka 8 kërkesa. Kjo është një politikë e tij për të mos avancuar drejt zgjidhjes.
Kurti vetë nuk është shprehur, por janë shprehur figura të tjera të VV për sa i përket qasjes me Ramën. Rama bëri projektin për Asociacionin. Kurti duhet të mbante gjuhën duke mos u tallur edhe pse Rama nuk ia dërgoi më parë Kurtit. Nuk shikoj peshë të Ramës në këtë çështje. Evropa nuk e sheh veprimin e Ramës si protagonizëm. Në këtë moment kur Kurti e ka vënë “majë më majë” me ndërkombëtarët, nuk i dilet kurrë. Nuk shoh dëshirë të Kurtit për bisedime”, u shpreh ai.