Mungon nxitja e prodhimit vendas për fluksin turistik, Pinguli: Prodhimi i birrës në vendnumëro, për shkak të kostove të larta

Prodhimi vendas, edhe pse po pëson një goditje të madhe nga emigracioni, rritja e kostove, pagave dhe konkurrenca nga importi, sërish e ka të vështirë të rimëkëmbet nga turizmi, në mungesë të nxitjes nga institucionet përkatëse.

“Përdorimi i produkteve vendase lidhet me politikat stimuluese të qeverive. Shqipëria ka shumë pak akses në këtë drejtim në krahasim me rajonin.

Ne subvencionojmë shumë më pak bujqësinë dhe blegtorinë, edhe pse janë dy sektorët më të rëndësishëm të punësimit. Industria e verës është e pambështetur nga subvencione, duke e bërë atë të pambrojtur ndaj importeve. Një prodhues vere mund të blejë rrush më lirë jashtë vendit (70% e rrushit importohet).

Kjo e bën të vështirë për kantinat zgjerimin dhe blerjen e teknologjive të avancuara për to, ndërkohë që BE dhe rajoni subvencionojnë deri në 100%” – shprehet Zak Topuzi, kryetari i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit.

Prodhimi vendas duhet të jetë një nga përfituesit kryesorë të fluksit të turistëve, por kjo nuk po ndodh për disa industri. Konsumi i birrës vendase nuk është rritur, edhe pse numri i konsumatorëve është shtuar.

“Prodhimi i birrës është në vendnumëro, për shkak të kostove të larta, si dhe shtimit të birrës së importuar në vend që e ka mbajtur çmimin të ulët. Nga ana tjetër, kostot për birrën vendase janë rritur për shkak të akcizës dhe TVSH-së për prodhuesit”, shprehet z. Stefan Pinguli, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës.

Shumë sektorë të prodhimit në vend janë goditur nga rritja e kostove, pagave, konkurrenca e importeve dhe imigrimi. Ministrat përgjegjës të qeverisë zakonisht luajnë një rol vendimtar në zhvillimin dhe zbatimin e strategjive për të nxitur prodhimin vendas.

Ata mund të bashkëpunojnë me bordet e turizmit, autoritetet lokale dhe palët e interesuara private për të krijuar fushata marketingu, për të ofruar nxitës financiarë dhe për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet për të fuqizuar më tej prodhimin vendor për turistët. Por hapat konkretë janë të paktë, ose në disa inekzistente.

Lidhja e sektorit të bujqësisë me atë të turizmit, e cila për rrjedhojë sjell rritje të lartë ekonomike në vend, realizohet nëpërmjet veprimtarisë së agroturizmit. Certifikimi i veprimtarisë së agroturizmit dhe ndërtimi i strukturave/objekteve në funksion të tij janë të vetmit hapa konkretë për të ndihmuar në nxitjen e prodhimit vendas që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pohoi për “Monitor”.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë nuk dha një përgjigje konkrete lidhur me hapat që po ndërmerren për të nxitur më shumë prodhimin vendas në sektorin e turizmit.

Edhe pse institucionet përkatëse nuk po ndërmarrin politika stimuluese për këtë çështje, strukturat akomoduese deklarojnë se kontratat direkte me fermerët, kantinat e verës dhe prodhuesit vendas janë një faktor kryesor për funksionimin e bizneseve të tyre.

Sipas z. Çerenishti, prodhimi vendas kushton deri në 50% më pak se ato të importit për strukturat akomoduese.

“Ne fokusohemi më shumë në prodhimin vendas, pasi mund ta marrim deri në 50% më pak se importet. Mungesa e doganimit, TVSH-së dhe shumë faktorë të tjerë na i bëjnë këto produkte më të lira.

“Ne kemi bashkëpunim të drejtpërdrejtë me shumë fermerë, ku blejmë raki, fruta, perime, mish, verë, konjak e shumë produkte të tjera.

Këto bashkëpunime janë me kontrata të parapaguara, të cilat e ndihmojnë shumë fermerin, por edhe na sigurojnë një produkt sa më të freskët dhe në standardet e duhura. Nuk kemi pasur stimulim nga ministrat përkatës, janë fermerë që i kemi gjetur vetë dhe çdo rrezik apo kosto shtesë e marrim përsipër vetë”.

Ashtu siç po marrim edhe shtrenjtimin e birrës vendase nga rritja e akcizës- nënvizoi z. Çerenishti.
Në ligjin për Klasifikimin e Strukturave Akomoduese, në standardet për t’u klasifikuar me yje, ka një pikë të veçantë për stimulimin e subjektit nëse përdor produkte vendase ose krahinore, me 10 pikë, aq pikë sa i shtohen nëse ai. ka një pishinë të hapur (klasifikimi me yje lidhet me grumbullimin e një numri të detyrueshëm pikësh).

Sipas z. Topuzi, këto akte ende nuk kanë marrë një formë përfundimtare.

“Aktet nënligjore nuk kanë marrë ende një formë përfundimtare për të detyruar subjektin akomodues të aplikojë për yje. Kjo ka bërë që ata të mos stimulohen për produktet vendase”.

Pesha e sektorit të turizmit në ekonominë shqiptare po rritet vit pas viti, ku vetëm në vitin 2022, hotelet dhe restorantet kontribuuan me 11,8% të xhiros totale, nga 2,3% në 2021./Monitor/

Arena e Lajmit


Mungon nxitja e prodhimit vendas për fluksin turistik, Pinguli: Prodhimi i birrës në vendnumëro, për shkak të kostove të larta

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook