Partizani pësoi një humbje 2-1 përballë Ballkanit të Ilir Dajës, por kjo është gjeja e fundit që shqetëson trajnerin Zekiç, ky ishte një test i mirë, kundër një ekipi të fortë, për të përgatitur si duhet sfidën e parë në Champions League, kundër BATE Borisov:
“Ishte ndeshje shumë e mirë, luajtëm përballë një skuadre shumë të fortë, të përgatitur dhe me mjaft cilësi në organikën e saj. Ne jemi akoma në fazën e procesit stërvitor, ku po përpiqemi të rrisim gjendjen fizike të skuadrës. Kjo ishte vetëm ndeshja e dytë që kemi zhvilluar. Jemi në prag të ndeshjes së parë të Champions League ndaj BATE-s.
Në fushë evidentova disa gabime gjatë lojës dhe do të na duhet t’i rikuperojmë përgjatë këtyre ditëve që të mos ndodhin më, u shpreh Zekiç duke theksuar se tashmë e ka krijuar një ide më të qartë, mbi ekipin që do të hedh në fushë kundër ekipit bjellorus:
“E kam një ide për formacionin që do të zbresë në fushë në ndeshjen me BATE Borisovin, por do të shohim edhe gjatë këtyre ditëve për të vendosur gjithçka. Ata që do të jenë në fushë do të jenë lojtarët me formën më të mirë fizike dhe që janë paraqitur më mirë gjatë kësaj faze përgatitore”, theksoi Zekiç. Goli i vetëm për të kuqtë e shënoi Da Silva nga pika e bardhë e penalltisë.
()