Vrasja e Endri Mustafës, çfarë dëshmoi bashkëshortja e tij dhe personi që e nxori në pritë: I tha ‘qofsh i xhenetit’ dhe e qëlloi

“Në Shënjestër”’ sjell këtë mbrëmje detajet dhe anët e panjohura të vrasjes së Endri Mustafës. Ai ishte një fajdexhi i njohur në qytetin e Shkodrës, që jepte shuma të ndryshme parash në këmbim të interesit. Për të kjo ishte një punë, me të cilën ushqente familjen.

Por që i kishte hapur telashet e veta, kohë pas kohe. Kjo ishte edhe arsyeja përse kohët e fundit, para se të vritej ai rrinte gjithmonë i fshehur. Aq sa në banesë të kthehej rrallë, pasi bashkë me të rronte edhe frika se ndiqej nga policia që e kishte shpallur në kërkim pikërisht në akuzën për kërcënim, ndaj atyre që ishin kthyer në pengjet e fajdeve të tij.

Kështu ndodhi edhe herën e fundit kur Endri Mustafa u kthye në banesë. Aty ku e ktheu malli për djalin e vetëm. Por që duket se atë që nuk e bëri policia, për ta prangosur dhe vënë para drejtësisë, e bëri një vrasës. Ai e gjeti më shpejt se sa zakonisht duhet të të gjejë policia në një vend si Shqipëria, ku krimi thuhet se është gjithmonë një hap para policisë.

Kështu edhe u gjet i vrarë Endri Mustafa, më 17 maj 2021, 48 orë pasi ishte larguar nga banesa, pa dhënë destinacion, në zonën e Livadheve në Shkodër. Ai u gjet i vrarë me një plumb në kokë, dhe dy të tjerë në trup, fare pranë lagjes së të fortëve të këtij qyteti, me të cilët ishte komshi, me të cilët ndante edhe marrëdhënie shoqërore.

‘Të fortë’ që ishin në një përplasje të përgjakshme me njëri-tjetrin, por që mesa duket kishin filluar të kishin dyshimet e tyre edhe te Endri Mustafa, se ky i fundit po bënte një lojë të dyfishtë me ta.

Secila palë mendonte se ai financonte nëpërmjet fajdeve kundërshtarët e tyre dhe që për këtë arsye herë pas herë ishin afruar për të kuptuar se kë mbështeste ai në këtë luftë.

Por që mesa duket nuk ishin bindur nga përgjigja e tij, se ai ishte asnjanës, dhe nuk donte të përfshihej në luftën që ata i kishin shpallur njëri-tjetrit.

Por si u gjet i vrarë Endri Mustafa, jo shumë larg banesës së tij, vetëm dy ditë pasi ishte kthyer fshehurazi aty? A ishte kjo një vrasje që lidhej me aktivitetin e tij si fajdexhi, apo dyshimi i një prej bandave në Shkodër se ai kishte kaluar në krahun tjetër, e çoi drejt plumbit.

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, e para që njoftoi në polici zhdukjen e të shoqit ishte Ingrid Mustafa.

Ajo u paraqit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër mbrëmjen e 16 majit 2021, ku tha për oficerët e policisë, se bashkëshorti i saj, ishte larguar nga banesa një ditë më parë, rreth orës 22.00. Që nga ai moment askush në familje nuk dinte diçka rreth fatit të tij. Ndërsa edhe celulari i tij rezultonte përgjatë gjithë insistimeve të tyre, i mbyllur.

Po për bashkëshorten e Endri Mustafës, largimi i tij nga banesa nuk ishte i pari. Ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia, dhe kohën më të madhe e kalonte në arrati. Ashtu sikundër kishte bërë edhe kohët e fundit, kur pas një mungese të gjatë në banesë, ai u shfaq aty sipas dëshmisë të së shoqes, në orët e para të mëngjesit, të datës 13 maj.

Dëshmia e gruas së tij:

“Bashkëshorti im, Endri Mustafa, ka qenë prej disa kohësh në kërkim, pasi është dënuar nga gjykata në akuzën për ‘fajde’. Më 13 maj, Ditën e Bajramit, ai u kthye herët në mëngjes në banesë, pasi kishte kohë që nuk vinte. Një ditë më pas, orën nuk e mbaj mend, në banesë erdhi Ergys Malja.  Një fqinji ynë, që bisedoi me Endrin në oborr, për t’i shitur një qingj, në vlerën 4 000 lekë. Endri i tha ta sillte ta shihte.  Rreth orës 17.00-18.00 të së shtunës, Ergysi erdhi tek shtëpia, ku solli një qingj të vogël. Pas kësaj, Endri qëndroi në shtëpi, ku i tha nënës së tij se i kishte mbetur mendja tek një ‘muhabet’ që i kishte bërë Ergysi për në livadhe”.

Sipas bashkëshortes së Endri Mustafës, familja e tyre nuk ruante ndonjë simpati, për fqinjin e tyre. Madje, këtë gjë ata kishin vënë në dukje, edhe vetë Endrit, ku i kishin thënë se Ergysi, nuk është person i besueshëm dhe mund ta nxirrte në pritë. Për këtë arsye bënte mirë të rrinte larg tij. Por Endri, sipas bashkëshortes, nuk i dëgjoi asnjëherë thirrjet e tyre. Madje i urdhëroi të shikonin punën e tyre, se e dinte vetë se çfarë bënte me jetën e tij.

Dëshmia e gruas së tij:

“Unë i thashë Endrit: ‘Ça merresh me Ergysin, ai është fëmijë, është hajdut’. Në atë kohë, edhe mamaja e tij, që ishte aty, i tha: ‘O mami, ruju prej tij se po të bën ndonjë prapësie dhe të nxjerr në pritë ndokund”. Endri na e ktheu që Ergysi s’kishte çfarë ti bënte, pasi është fëmijë. Por mamaja e tij, i tha se: ‘Ai është i poshtër, a të kujtohet që para një viti, ky të ka thënë që marr tre mijë euro për të nxjerrë në pritë dikë’. Endri i tha se: ‘Ai gënjen, bën kot si fortë’”.

Po atë natë, bashkëshortja, këtë herë në rolin e kallëzueses, tregoi për oficerët e policisë, se në telefonin e Endrit, po vinin shumë mesazhe njëkohësisht. Por mesazhi që ai priste ishte një me ‘kal’ që Ergysi do i sillte në instagram. Mesazh që nuk vonoi të vinte në celularin e tij.

Dëshmia e gruas së tij:

“Që kur u nda me Ergysin atë ditë, Endri, ndejti në shtëpi duke luajtur ‘playstation’ me djalin, ndërkohë që në telefon i vinin mesazhe të shumta. Gjatë një bisede që zhvillova me Endrin, ai më tha se kur të vinte herën tjetër në banesë, Ergysi do ti çonte një foto kali në facebook ose instagram, si mesazh që ai të dilte në oborr. Unë isha aty dhe i thashë të shikonte celularin se po i vinin mesazhe. Endri mori celularin dhe doli në oborr. Aty ndejti 10-15 minuta, por nuk di nëse takoi dikë apo foli në celular. Kur u kthye brenda, më tha t’i nxirrja një xhakovento dhe një kapuç, pasi po shkonte deri në livadhe me Ergysin. Unë i tërhoqa vëmendjen: ‘Çfarë merresh me të, pasi është vonë’. Endri më tha: ‘Kam punën time, e di vetë cfarë bëj, për 5 minuta jam në shtëpi, se po shkoj me motor deri në livadhe’”.

Por ndërsa priste që Endri të kthehej shpejt në banesë, ashtu siç ishte shprehur në ikje të tij, ai po vonohej. Ajo që habiti këtë herë bashkëshorten ishte fakti se Endri, nuk kishte marrë motorin e tij, të cilin ajo e gjeti të palëvizur në garazhin e banesës.

Dëshmia e gruas së tij:

“Kur e pashë motorin e Endrit në garazh, mendova se kishte shkuar me atë të Ergysit, pasi ai ka një mjet të vogël tip ‘Papaq’. Unë e prita Endrin deri në mesnatë. I rashë edhe në whatsapp por thirrja nuk i shkonte. Kur pashë që mesazhet nuk i shkonin, i dërgova sms. Në mëngjes, mamaja e Endrit më pyeti për të dhe unë i thashë se nuk kishte ardhur në banesë dhe se celulari i dilte i fikur”.

Bashkëshortja e Endrit Mustafës, rrëfen më tej se të shqetësuar për mungesën e tij, ata nisën kërkimet tek familjarët e tyre. Por ata njëkohësisht kontrolluan edhe kamerat e sigurisë që kishin instaluar në banesën e tyre, nga ku panë lëvizje të pazakonta të një personi të panjohur që dilte nga banesa e fqinjit të tyre, Ergysit. Atij, të cilit ata i druheshin më së shumti, se mund të fuste në pritë, Endrin.

Dëshmia e gruas së tij:

“Vjehrra mori biçikletën dhe doli për të kontrolluar te daja i Endrit, Burhan Alija. Por nuk e gjeti. Ajo erdhi në shtëpi rreth orës 09:00, ku unë isha duke parë kamerat e shtëpisë, të cilat regjistrojnë vetëm në kohë reale. Aty pashë një djalë të gjatë që doli nga banesa e Ergysit me biçikletë. Në orën 14.00 e pashë sërish me motor teksa dilte po nga banesa e Ergysit me një qese në dorë, që dukej sikur kishte rroba.  Ky djali duhet të ishte shok i Ergysit, pasi nuk ishte i lagjes”.

Bashkëshortja e Endri Mustafës, tha për policinë se kishte dyshime se bashkëshorti i saj mund të ishte vrarë. Sipas saj personi që e ka nxjerrë në pritë është Ergys Malja. Por ajo përmendi jo rastësisht në dëshminë e saj, faktin që ata janë komshinj me fisin Lici dhe se Endri kishte pasur shoqëri me pjesëtarë të familjes Bilali… që janë në konflikt me njëri-tjetrin.

Dëshmia e gruas së tij:

“Bashkëshorti im nuk ka patur probleme me askënd. Ne jemi fqinj me familjen Lici Endri ka qenë shok me shtetasin Astmer Bilali. Edhe pse nuk është përzier fare në punët e tyre. Ergys Malja njihet si shok i Astmer Bilalit dhe rri gjithë kohën tek shtëpia e tij, pasi merret me kuajt e tij”.

Sipas bashkëshortes së Endri Mustafës, gjithçka ka shkuar mirë midis tyre. Por ajo gjithmonë kur fliste për raportet midis bashkëshortit të saj dhe familjes Bilali, i referohej një kohe foljore të shkuar. Ajo tregoi se Endri nuk ishte përzier me asnjërën palë, që ishin në një përplasje, gati të përgjakshme midis tyre me shumë viktima.

Dëshmia e gruas së tij:

“Shtatë apo tetë muaj më parë Ergys Malja erdhi te shtëpia jonë dhe i kërkoi Endrit kalin e tij, për ta çiftëzuar me një kalë tjetër të Astmer Bilalit, të cilin Endri ia dha. Endri nuk ka mbajtur as krahun e familjes Lici, dhe as të familjes Bilali, pasi ai thoshte: ‘Bën me ndenj me njërin krah, i mbetet hatri krahut tjetër’ dhe kështu ka parë punët e tij”.

Por ndërsa thoshte se Endri nuk përzihej me Licët dhe Bilalët, duket se grupet tashmë armike me njëra tjetrën, mendonin të kundërtën. Këto fjalë i kishin shkuar në vesh edhe vetë bashkëshortes së Endri Mustafës.

Dëshmia e gruas së tij:

“Pas vitit të ri, Endri pjesën më të madhe të kohës e kalonte në shtëpi. Që kur u shpall në kërkim, ai nuk i ka takuar Astmer Bilalin apo Ibrahim Licin. Ai i ka patur shokë ata, por nuk është përzier në punët e tyre. Katër muaj para se të vritej Endri më tha se i kishin sjellë fjalë sikur ‘Bajrat’ kishin thënë se Endri është bërë grup me ‘Lictë’, por ai nuk më tha se kush ia kishte sjellë këto fjalë. Unë i thashë: ‘Çfarë janë këto fjalë, po të bëjnë ndonjë send, po të fusin në grup të tyne dhe ti je më i lehti’”.

Në lidhje me djalin e saj, u pyet edhe nëna e Endri Mustafës. Edhe ajo pohoi se fisi Bilali, me të cilin Endri kishte shoqëri, kishte filluar të kishte dyshime se ky i fundit, po bashkëpunonte me Licët.

Dëshmia e nënës së tij:

“Djali ka patur shok, Astrit Bilalin, babain e Astmer Bilalit. Kohët e fundit na kishin ardhur fjalë nga familja Bilali, se Endri po rrinte shumë me Lictë. Nuk e di se kush i solli këto fjalë, por unë i dëgjova nga nusja dhe jo nga vetë Endri. Duke qenë se Ergys Malja ka pasur hyrje dalje me Bilalët, unë kam menduar se ata dhe Bajrat mund të kenë bërë ndonjë gjë të keqe”.

Endri Mustafa, u gjet i vrarë, vetëm 30 orë pasi ishte larguar nga banesa. Trupi i tij u zbulua nga policia në zonën e Livadheve në Shkodër, në orën 10.00 të mëngjesit të datës 17 maj 2021. I qëlluar pa droje, nga një distancë fare e afërt.

Dosja Hetimore

“Rreth orës 10:00 të datës 17 Maj 2021, u gjet trupi i pajetë i shtetasit Endri Mustafa, i cili u konstatua i vrarë, në dukje me armë zjarri. Ai u gjet i shtrirë në tokë, me bark sipër, i lagur dhe me dëmtime në kokë, fytyrë dhe trup”.

Personi i parë kyç që u pyet në lidhje me vrasjen e Endri Mustafës, ishte Ergys Malja. Ai që dyshohet se e nxori në pritë. Por rrëfimi i tij mbi autorin e vrasjes surprizoi jo pak hetuesit. Ai tha para tyre se nxjerrjen në pritë të Endri Mustafës, ia kishte kërkuar nëpërmjet kërcënimit, Ibrahim Lici. Ky i fundit një personazh kontrovers i botës së krimit, sot një prej njerëzve me të kërkuar nga policia, e cila ka dështuar në disa aksione për kapjen e tij, përfshirë edhe një operacion në Turqi, ku mendohej se ai fshihej.

Dëshmia e Ergys Malja:

“Të premten unë takova Endrin, i cili më kërkoi një qing për Bajram. Kur u takuam një ditë më parë, ne biseduam për një punë ‘hashashi’, për të cilën i thashë Endrit se e kisha mbjellë në zonën e Livadheve, bashkë me dy shokë. Rreth 150 rrënjë hashash tre mujorsh që doja t’i korrnim. Endri më tha se do më ndihmonte që ta korrnin hashashin dhe ta çonin tek shtëpia imë dhe më pas ta shiste”.

Po duket se hashashi ishte karremi për të nxjerrë në pritë, Endri Mustafën.Karrem i mirëmenduar që duket se funksionoi. Endri nuk shprehu asnjë dyshim se po nxirrej në pritë, deri në momentin që u qëllua.

Dëshmia e Ergys Malja:

“I dërgova Endrit një foto kali në Instagram, si kod që ai të dilte për t’u nisur në Livadhe. Pasi u takuam pas banesës së Endrit, rreth orës 22:00 u nisëm në këmbë drejt Livadheve, duke kaluar rrugën e Bypass-it. Pasi shkuam diku afër livadhit të Endri Mustafës, u kthyem djathtas për të dalë në një vend tjetër të quajtur ‘Gropat e eskavatorit’, ku unë i kisha thënë se kisha ‘hashashin’”.

Ky është edhe momenti fatal për Endri Mustafën.Çasti ku përpara tij në mënyrë të papritur shfaqet Ibrahim Lici. I cili sipas rrëfimit të Ergys Maljas, e qëllon në trup pa paralajmërim. Madje duke mos pranuar as kërkesën për mëshirë, që Endri Mustafa i drejtoi në emër të fëmijëve të tij.

Dëshmia e Ergys Malja:

“Sapo u afruam në livadh, para nesh doli Ibrahim Lici, i cili me një armë në dorë, qëlloi direkt mbi Endrin. I cili i shtrirë në tokë iu lut duke i thënë: ‘Aman mos me vrit pash zotin, se kam fëmijë’. Por ai qëlloi përsëri, madje edhe në fytyrë, duke i thënë: ‘Qofsh i xhenetit’. Pas kësaj, Ibrahim Lici u largua me motor nga vendi i ngjarjes, ndërsa unë ika me vrap për në shtëpi, andej nga kisha ardhur”.

Por Ergys Malja krahas ekzekutimit, tregoi edhe se si Ibrahim Lici sipas tij, e rekrutoi që ti nxirrte në pritë, Endri Mustafën. Por nuk rrëfeu përse Ibrahim Lici, e kërkonte në pritë, komshiun e tij.

Dëshmia e Ergys Malja:

“Tri ditë para se të ndodhte ngjarja, më 13 maj, unë e takova Ibrahim Licin, pas banesës së tij. Ai më kërkoi që ti nxirrja në pritë Endri Mustafën tek livadhet, ndryshe do të më vriste mua dhe familjen. Nga frika, unë pranova dhe sajova bisedën me Endrin, sikur kisha mbjellë hashash tek livadhet dhe i kërkova ndihmë për ta korrur. Endri pranoi dhe unë shkova te Ibrahimi, të cilit i thashë se do të vija me të tek livadhet. Ibrahimi më tha: ‘Dakord, atje do të dal unë’. Unë nuk e dija që Ibrahimi do të vriste Endrin, dhe nuk kisha dijeni për problemet e tyre”.

Menjëherë pasi grupi hetues kuptoi se dëshmia e Ergys Maljas përbën interes dhe është e vërtetë, kjo edhe pas ballafaqimit të thënieve të tij me provat në terren, atij iu dha statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë. Paralelisht me këtë status ai u vendos në përgjim ambiental edhe me babain e tij, gjatë kohës që të dy ishin të ndaluar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Dosja Hetimore

“Më datë 17 Maj 2021 u krye përgjimi ambiental i një bisede mes shtetasve Ergys Malja dhe Admir Malja në ambientet e DVP Shkodër. Gjatë kësaj kohe Admir Malja i tha djalit të tij: ‘Bo bo çna bëre, ti je i vdekur krejt tani, ne të gjithë jemi të vdekur… Licët do të vrasin… Po çdo na bëjnë ata tjerët… Si e nxjerr ti tjetrin në pritë…’”.

Gjatë dëshmive të tij, Ergys Malja, rrëfeu se Ibrahim Lici, ia kishte kërkuar me patjetër t’ia nxirrte në pritë Endrin, të dielën e javës. Por ai kishte thënë se mund ta bënte më shpejt se kaq, dhe mund ta nxirrte, që natën kur e lajmëroi se Endri e kishte ngrënë mashtrimin e ‘hashashit’.

Dëshmia e Ergys Malja:

“Pasi u ndava me Endrin, dhe e binda për punën e hashashit, 15 minuta pasi qëndrova në banesë, i hipa motorit dhe kalova nga rrugica e Ibrahimit, me idenë që do më shihte dhe do më thërriste. Aty ai mund të më ketë parë nga kamerat, doli dhe më fishkëlleu. Gjatë bisedës ai më pyeti nëse shkova te shtëpia e Endrit për atë muhabetin, pasi duhet të ma nxjerrësh fiks të dielën në orën 9:30 të darkës, tek ‘Gropa e Eskavatorit’. Unë i thashë që a bën me e nxjerr sot, se i kam thënë Endrit një punë hashashi. Ai më tha edhe më mirë”.

Dhe duket se kështu u bë, pasi u nda me Ibrahim Licin, Ergys Malja, tha se shkoi te shtëpia e Endrit, këtë herë me qëllimin për ta marrë me vete. Ndërkohë që Ibrahim Lici i priti i fshehur në Livadhe.

Dëshmia e Ergys Malja:

“Unë i thashë Endrit, a ikim sonte ti këpusim ato, për hashashin. Ai doli, hapi derën dhe më tha prit sa të ndërrohem dhe të marr pistoletat, se mos na duhen. Rrugës Endri po shikonte pistoletat dhe më pyeti cilën dua. I pashë dhe i thashë më jep këtë të zezën. U afruam tek ‘Gropa e Eskavadorit’, kur aty nga një si tip shkurre, doli Ibrahimi, me armë në dorë, i cili gjuajti direkt në drejtim të Endrit. Aty Endri u ul në tokë dhe rrinte duke lëviz dhe i thoshte Ibrahimit: ‘Aman mos më vrit, kam tre fëmijë, nuk të zë me gojë, nuk kam ditë gjë’. Ai u çonte dhe binte në tokë. Ibrahimi iu afrua, i vuri dorën diku në gjoks dhe i tha: ‘Të ka falë zoti, qofsh i xhenetit’, dhe ka gjujt veç një plumb që kërciti”.

Por fill pasi u mësua se Ibrahim Lici ishte autori i dyshuar i vrasjes në pritë të Endri Mustafës, familja e tij reagoi duke mohuar të ishte ai ekzekutori. Madje babai i autorit të dyshuar të krimit, tha se Ergys Malja, ishte punëtor i Astmer Bilalit. Duke ia lë fajin këtij të fundit për vrasjen e Endri Mustafës.

()

Arena e Lajmit


Vrasja e Endri Mustafës, çfarë dëshmoi bashkëshortja e tij dhe personi që e nxori në pritë: I tha ‘qofsh i xhenetit’ dhe e qëlloi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook