Ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë në Krujë do të kishte kaluar si një incident për motive të dobëta, e jo më të shkaktonte ndryshime në qeveri, nëse video ku dhunoheshin barbarisht dy persona nuk do të kishte qarkulluar nëpër whatsapp.
Gjithçka rrodhi shumë shpejt pas publikimit të videos. Policia u detyrua të ndryshonte njoftimin e parë ku fillimisht deklaroi se mori në pyetje personat e përfshirë dhe i liroi në arrestimin e disave dhe shpalljen në kërkim të djalit dhe vëllait të deputetit socialist Rahman Rraja.
Pas reagimit të fortë publik në rrjete sociale, Ministri i Brendshëm Bledi Çuci u takua për 4 orë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ku u njoftua shkrirja e Komisariatit të Krujës dhe iu bë thirrje të afërmve te deputetit Rraja të dorëzoheshin. Paralelisht, përmes një letre të shpërndarë për mediat, deputeti Rraja i kërkoi ndjesë kryeministrit dhe votuesve të Krujës dhe njoftoi lënien e mandatit. Por kryeministri Rama nuk e la me kaq. Ne mbrëmje ai njoftoi se i ka dërguar presidentit dekretin për shkarkimin e ministrit Çuci dhe emërimin në vend te tij të kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla.
Ky i fundit ditën e sotme njoftonte në faqen e tij në Facebook takime të shumta në patos, përurime rrugësh, bisedime me një këpucar apo edhe thirrjen drejtuar ndjekësve te tij të vizitojnë plazhin e Semanit.
Dashur pa dashur, përfshirja e fisit Rraja në rrahjen barbare të dy qytetarëve që kishin denoncuar prishjen e shtëpive prej shpërthimeve të gurores që administrohej nga familja e deputetit, ka bëre që më në fund Taulant Balla të marrë postin e Ministrit te Brendshëm.
Emri i kryetarit të Grupit Parlamentar socialist ka qenë më i përmenduri për këtë post që pas largimit të Saimir Tahirit, por asnjëherë deri më sot kryeministri nuk ia kishte besuar atij ‘portofolin’ e një prej ministrive më te rëndësishme të qeverisë që drejton.
Pas skandalit seksual të Safet Gjicit që çoi bë shkarkimin e tij dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në Kukës, ky është rasti i dytë pa u bërë 2 muaj nga zgjedhjet e 14 majit që Rama përballet me reagim të fortë publik që e detyrojnë atë të ndërhyjë duke “prerë” edhe koka ministrash.