SARANDË
Nis operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe.
Operacioni, nga Komisariati i Policisë Sarandë, Policia Bashkiake dhe Autoriteti Kombëtar i Bregdetit.
Gjatë kontrolleve të para të kryera në nisje të këtij operacioni, në plazhin e quajtur “Pasqyrat”, është konstatuar një rast i pushtimit të hapësirës publike, për ta shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë sekuestruar 20 çadra dhe 40 shezlongë, të vendosura nga shtetasi F. M., pa lejen e bashkisë Sarandë.
Gjithashtu, iu referuan materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. M., për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”. Operacioni “Plazh i lirë”, vijon.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë operatorët ekonomikë që operojnë në vijën bregdetare, që të zbatojnë ligjin, të mos pushtojnë në mënyrë të kundërligjshme sipërfaqe plazhi me qëllim përfitimin, si dhe të mos kryejnë ndotje akustike. Në këtë kuadër ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërive.