E gjithë vëmendja e publikut është te filmi që Olta Gixhari dhe Luiz Ejlli janë duke xhiruar aktualisht. Që pas përfundimit të “Big Brother”, dy protagonistët bashkuan forcat për të sjellë një film dramë-romancë, që me gjasa do të jetë një sukses i garantuar.
“Në kuadër të dashurisë” shfaq një histori dashurie në kohët moderne që ndërlidh jetët e dy njerëzve dhe të familjeve të tyre. Një çift i martuar prej vitesh janë në buzë të ndarjes. E ndërsa gatisin letrat e divorcit, një ftesë iu vjen nga mamaja e vajzës për një festë surprizë ditëlindjeje.
Të gjendur para sikletit, çifti vendos të lënë Tiranën, e të nisen në Korçë, në këtë vizitë e cila bashkon familjet e të dyja palëve. Në role kryesore janë Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari, dy ndër personazhet më të komentuar prej disa muajsh tanimë. Nga “rivalë” në shtëpinë e “Big Brother VIP”, ata vijnë tashmë si burrë dhe grua.
E tashmë është zbuluar i gjithë kasti i filmit, të cilët janë: Luiz Ejlli, Olta Gixhari, Salsano Rrapi, Sara Hoxha, Ndriçim Xhepa, Zamira Kita, Olta Daku, Besmir Bitraku, Salsano Rrapi, Luan Jaha, Ylber Bardhi, Roerd Toçe, Sotiraq Bratko, Dea Mishel Hoxha, Aleksandër Grami, Eni Shehu, Myzafer Zilfaj, Xhljano Brisku, Megi Pojani, Sara Kolami.
Megjithatë, interesi është i madh për të parë Oltën dhe Luizin, dy armiq të përbetuar në lojë, që këtë herë kanë rolin e burrit dhe gruas. Të gjithë e kujtojmë marrëdhënien e tensionuar që ata kishin brenda shtëpisë, çfarë u reflektua edhe në ditët e para jashtë lojës.
Megjithatë dy personazhet u duk sikur bënë paqe, teksa ndanë rolet e tyre në film. Por duket se e vërteta është komplet ndryshe. Marrëdhënia e tensionuar mes Luizit dhe Oltës ka vijuar edhe në shesh xhirim. Dy protagonistët, janë shfaqur shpesh herë nervoz ndaj njëri-tjetrit, duke mos i fshehur momentet e tensionit edhe në sy të kastës së aktorëve.
Nga ajo që kemi mundur të mësojmë është që në rrafshin personal, Olta dhe Luizi praktikisht nuk kanë asnjë kontakt me njëri-tjetrin. Madje dy protagonistët as nuk ndiqen në “Instagram”, si për t’i vënë vulën këtij raporti.
Dëshmitarët e këtyre problemeve mes tyre kanë rrëfyer se Olta shpesh herë ka debatuar me Luizin edhe për nivelin e tij në aktrim, duke pasur disa kërkesa më shumë ndaj tij, por edhe ndaj stafit. Natyrisht që përplasjet jo në të gjitha rastet kanë nisur vetëm nga Olta, pasi dëshmitarët, kanë zbuluar se shpesh ka qenë Luizi ai që ka pasur momente acarimi me kolegen e tij në film.
Megjithatë, projekti i filmit ka vijuar dhe aktualisht xhirimet janë drejt përfundimit. Drejt përfundimit ngjason edhe marrëdhënia e Oltës dhe Luizit, që me gjasa pas këtij filmi, nuk do të kenë më as miqësi së bashku, e aq më pak bashkëpunime të tjera.
Kujtojmë se Luizi nuk ka pasur probleme vetëm me Oltën gjatë xhirimit të filmit, por edhe me Dean, e cila gjithashtu është pjesë e kastit. Përplasjet e Deas dhe Luizit kanë nisur në Korçë, teksa kanë qenë duke xhiruar. Luizi është protagonist në këtë film, teksa Dea ka vetëm një rol episodik.
Megjithatë, gjatë xhirimeve, ata kanë nisur me konfliktet, çfarë ka bërë që pas përplasjeve, të ndërpresin çdo komunikim mes tyre, pavarësisht bashkëpunimit për shkak të punës. Të dy finalistët e “Big Brother”, kanë vijuar punën me xhirimet, veç se këtë herë, pa asnjë komunikim personal mes tyre. Një video e Luiz Ejllit, teksa ofendon Dea Mishel nga koncerti në Shkodër ka bërë xhiron e rrjetit orët e fundit.
“Tani këtë këngë ia dedikoj një banoreje të shtëpisë së ‘BBVip’ se më tha je provincial se Shkodra është provincë. Ajo e kishte zakon që kur vinin djem në shtëpi, ia hidhte nga një sy. Edhe unë i kam thënë: kur të jem brenda do loz me gjërat që janë brenda. Ama kur të dal jashtë unë nuk të harroj, kështu që sot dua dhe ndihmën tuaj për me t’i bërë këtë dedikim asaj dhe kujtdo që thotë që Shkodra është provincë”, tha Luizi dhe më pas nisi këngën “O lulija jonë me limona o, kush na ka inatin ju q**** nona o”, ishin fjalët e Luizit të cilave Dea Mishel u është përgjigjur e prerë duke e paralajmëruar të mos merret më me familjen e saj.
Por nëse me Dean nuk ka shumë lidhje në film, me Oltën bashkëpunimi është i pashmangshëm. Veç sherreve larg kamerave, në rol, dyshja ka edhe skena të nxehta. Luiz Ejlli i ftuar në “Fiks Fare” foli në lidhje me xhirimet e filmit “Në kuadër të dashurisë”, dhe për skenat e përfolura me Oltën.
“Për mua, ndoshta janë disa skena çukuçuku, se s’jam aktor profesionist, por për Oltën dhe të tjerët s’është kështu. Ajo ishte vetëm një puthje”, tha Luizi.
“Sapo e mori vesh dhe Kiara, filloi duke bërë valixhet gati. I thashë a jemi duke ik me pushime, veç kur iku te njerëzit e vet”, tha ai me shaka.
Kulmi i debateve mes tyre arriti në “Post Big Brother”, ku Olta nuk i ndali akuzat për Luizin, por edhe Kiarën. Aktorja e akuzoi ish-konkurrenten se e shfrytëzon fituesin e “BBV2”, pasi fama e tij është shumë e madhe: “Ajo po të shfrytëzon ty sepse je shumë i famshëm, kaq ka treguar deri tani. Kjo ‘e kulluara’, meqë tha që është kaq e mire. Burrë e grua nuk të bëjnë interesi, por nevoja. Ti je materialiste”.
Nga ana tjetër, edhe Kiara pati një reagim të ashpër për Oltën. “Deri më tani nuk kam nxjerrë asnjë ofendim për askënd. Ky më ka vendosur unazën në gisht dhe që prej atij momenti nuk ke gojë të flasësh. Jo të më rrish të më flasësh cepave, e të më thuash: ju do ndaheni. Ti je inatçie, kjo je ti”, u shpreh moderatorja.
Pavarësisht, se u duk se Kiara dhe Olta u bënë shoqe jashtë “Big Brother”-it, duke u takuar e duke shkëmbyer batuta mes tyre, debatet kanë vijuar. Por nëse me Kiarën është një kapitull i mbyllur që në spektaklin e fundit të “Big Brother”, me Luizin përplasjet kanë vijuar më gjatë, duke shoqëruar me tensione thuajse të gjithë xhirimet e filmit./ Panorama