Bankat dalin në blerje dhe rrisin kërkesën, Euro rifiton terren ndaj Lekut

Euro po rifiton terren në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 102.22 lekë, në rritje me 1.15 lekë krahasuar me ditën e djeshme.

Pasi preku minimumin historik prej 101.09 lekësh të mirëkurën e kaluar, monedha europiane është rimëkëmbur pjesërisht, duke filluar nga dita e enjte, kur Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e radhës për blerje të Euros. Ankandi i ditës së enjte ishte pjesë e kalendarit vjetor të blerjeve për nevojat e rezervës valutore. Por, sipas burimeve nga tregu, Banka e Shqipërisë ka vijuar blerjet edhe ditën e premte, në formën e ndërhyrjeje gjysmë-direkte për stabilizimin e kursit të këmbimit valutor. Një praktikë e ngjashme ishte ndjekur edhe muajin e kaluar.

Burimet nga tregu shprehen se, sidoqoftë, blerjet e Bankës së Shqipërisë nuk kanë qenë shumë të mëdha dhe nuk janë ato faktori përcaktues në kthimin e tendencës së kursit të këmbimit në ditët e fundit.

Këtë javë, disa prej bankave tregtare, kryesisht Banka Kombëtare Tregtare, OTP Albania dhe Credins Bank kanë realizuar blerje të valutës, ndoshta për të përmbushur kërkesat e klientëve të tyre. Ekspertët hipotizojnë se shumë subjekte mund të kenë pritur rënien e Euros pranë nivelit të 100 lekëve për të kryer blerje për nevojat e tyre. Në këtë mënyrë, kjo ka rritur shumë kërkesën gjatë ditëve të fundit, duke tejkaluar ofertën e lartë sezonale të valutës. Një sjellje e tillë mund të shpjegojë një ecuri disi paradoksale të kursit të kursit të këmbimit, që po rritet pikërisht në ditët e fundit të korrikut, kur në vitet e mëparshme rënia sezonale arrinte pranë pikut.

Nuk është hera e parë këtë vit që Euro alternon periudha rënieje të fortë, me ringritje të shpejta, por afatshkurtra, që, sipas agjentëve, shpjegohen kryesisht me sjelljen oportuniste të subjekteve që duan të blejnë Euro në momente kur vlera e monedhës europiane bie, duke rritur rrjedhimisht kërkesën.

Kjo dinamikë e kursit nuk përjashton sidoqoftë edhe sjellje të mundshme spekulative në afatin e shkurtër, sidomos nga aktorët që kanë fuqi të madhe tregu.

Rritja e Euros në ditët e fundit ka ringritur pjesërisht edhe kursin e monedhave të tjera kryesore. Dollari Amerikan këmbehej sot me 92.35 lekë dhe është rritur me 2.41 lekë krahasuar me një javë më parë. Paundi britanik u këmbye të mërkurën me 119.12 lekë, në rritje me 3.4 lekë krahasuar me minimumin historik që arriti të enjten e kaluar.

Për momentin, rritja e fortë e monedhës vendase duket se është në një fazë korrigjimi.

Sidoqoftë, faktorët fondamentalë të tregut duket se në afatin e shkurtër do të vazhdojnë të mbështesin Lekun e fortë. Statistikat treguan se numri i turistëve për gjysmën e parë të këtij viti arriti një nivel rekord dhe prurjet nga turizmi do të vazhdojën të ngelen të larta, së paku deri në fund të sezonit veror. Me bazë vjetore, kursi i këmbimit Euro-Lek ngelet në rënie dyshifrore, me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

  • foto galeri
  • foto galeri

Arena e Lajmit


Bankat dalin në blerje dhe rrisin kërkesën, Euro rifiton terren ndaj Lekut

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook