Përmes një deklarata publike, Sali Berisha ka reaguar lidhur me aksionin e SPAK, ku ranë në pranga biznesmeni i njohur Pëllumb Gjoka dhe ish-drejtori i Forcave Operacionale, Oltion Bistri, Xhevahir Lita, drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Kukës dhe Astmer Bilali, pjesë e grupit ‘Bajri’.
Berisha thotë ndër të tjera se “Europoli, bazuar në përgjimin e telefonave Sky, ECC dhe Encrochat kishte sjellë në Shqipëri dosjet e 15 kriminelëve shqiptarë trafikantë droge, prostitucioni, autorë vrasjesh, përdhunuesish. Por, në këtë operacion, nga 15 banditë u arrestuan vetëm 6, sepse 9 të tjerë, ndër të cilët dy anëtarë të klanit të partisë “Bajri”, ja mbathën siç është rregulli, ‘në drejtim të paditur’”.
“E vërteta është se operacioni, në masën 60% dështoi. Kjo, vetëm e vetëm se autoritetet shqiptare, të lidhura me bandat e partisë, i njoftuan banditët e tyre që t’ia mbathin. Ministri i krimit Balla, i njohur për lidhjet direkte me disa prej të arratisurve, vrapoi i pari të lavdërojë Policinë për operacionin, 60 përqind të dështuar, si për të thënë “mos kujtoni se i kam njoftuar unë”.
Partia Demokratike, duke falënderuar Europolin për kontributin e madh dhe të çmuar që po jep në luftën kundër kriminalitetit të lidhur me politikanë në vendin tonë, dënon me ashpërsinë më të madhe dekonspirimin kriminal dhe dështimin e këtij operacioni nga organet ligjzbatuese të Shqipërisë, të lidhura me krimin. Zero tolerancë është zotimi i PD ndaj krimit të organizuar!”, deklaron ish-kryeministri.