DURRES
Goditet një rast i shpërndarjes së dozave të drogave të forta. Në pranga të policisë ka rënë një 39-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë një 17-vjeçar që shpërndanin doza kokaine, në qytetin e Durrësit.
Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të DVP Durrës, gjatë kontrollit të territorit, për garantimin e rendit dhe sigurisë, kanë ndaluar në zonën e quajtur “Pranvera”, automjetin me të cilin qarkullonin 2 shtetas që dyshohej se shpërndanin lëndë narkotike në doza. Gjatë kontrollit fizik, drejtuesit të automjetit, shtetasit M. K., dhe pasagjerit, shtetasit A. J., iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës u arrestua shtetasi M. K., 39 vjeç, banues në Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 17-vjeçarin, për veprën vepane “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin Ç. D., 36 vjeç, banues në Kosovë, pasi ka ngacmuar seksualisht 2 shtetase të mituara 16 vjeçe.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.