Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut e ka nisur këtë javë në rënie të fortë, pas rritjes së javës së kaluar.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 102.87 lekë, në rënie me pothuajse tre lekë nga niveli ku mbylli javën e kaluar.
Sipas agjentëve të tregut, rritja e javës së kaluar në masë më të madhe ishte e pajustifikuar dhe rezultat i një lloj paniku si rezultat i kërkesës së përqendruar. Me shumë të ngjarë, një kërkesë e tillë erdhi si rezultat i blerjeve në vlera të mëdha nga subjektet që kishin vendosur të shfrytëzonin kursin e favorshëm që ofronte kulmi i sezonit veror.
Sapo kjo kërkesë shteroi dhe bankat mbyllën pozicionet nga shitjet e valutës, duke se kursi i këmbimit të Euros ka rënë në mënyrë të menjëhershme.
Rënia e kursit të Euros është reflektuar në përmasa të ngjashme edhe në kursin e valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan u këmbye me 93.22 lekë, në rënie me 3.33 lekë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Paundi Britanik u këmbye me 119.8 lekë, në rënie me 3.92 lekë nga fundi i javës së kaluar. Franga Zvicerane u këmbye me 107.19 lekë, në rënie me 3.63 lekë krahasuar me ditën e premte.
Periudha mes fundit të muajit korrik dhe fillimit të muajit gusht shënon edhe pikun e efektit sezonal në kursin e këmbimit, për shkak të prurjeve valutore nga turizmi. Për këtë arsye, është e prishme që pozitat e Lekut të qëndrojnë të forta në afatin e shkurtër.
Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i theksuar i Lekut këtë vit ka ardhur kryesisht si rezultat i përmirësimit të Bilancit të Pagesave dhe rritjes së flukseve hyrëse, sidomos nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte. Mbiçmimi i Lekut po ndihmon Bankën e Shqipërisë në objektivin për uljen e inflacionit, ashtu siç po jep një efekt pozitiv në uljen e borxhit në valutë të sektorit publik dhe privat. Forcimi i Lekut po i bën më të lira importet dhe është një ndër arsyet pse Shqipëria ka pasur inflacion më të ulët krahasuar me shumicën e ekonomive të tjera. Besohet se efektet e valës së re të forcimit të Lekut, pas pranverës, do të jenë më të prekshme në çmimet e konsumit gjatë muajve në vazhdim.
Por, nga ana tjetër, forcimi i monedhës vendase po ndikon negativisht sektorët eksportues të ekonomisë, që kanë të ardhura në valutë të huaj dhe shpenzime në lekë. Efektet më të forta mund të ndihen në sektorin e fasonerisë, ku mundësitë për të korrigjuar marzhet si rezultat i forcimit të Lekut janë të kufizuara. Megjithatë, forcimi i Lekut po ndikon negativisht edhe sektorët e tjerë, përfshirë turizmin, duke i bërë më pak konkurrues në shitjen e mallrave dhe shërbimeve për blerësit e huaj. Monitor