Yield-et e bonove 12-mujore kanë frenuar sërish në ankandin e kësaj jave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar pësoi përsëri një rënie të lehtë në nivelin 3.13%, nga 3.14% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Yield-i i bonove 12-mujore ngelet kështu pranë niveleve më të ulëta prej një viti dhe shumë afër normës bazë të interesit.
Yield-i mesatar i bonove 12-mujore ndoqi një tendencë të vazhdueshme në rënie në pjesën e parë të këtij viti, duke zbritur deri në nivelin 3.09% në fund të muajit qershor.
Në ankandin e dytë të korrikut, yield-et dhanë sinjale të lehta rritjeje, në nivelin 3.14%. Por, kjo rritje nuk ka zgjatur më tej dhe në ankandin e parë të muajit gusht yield-i pësoi sërish një rënie të lehtë.
Frenimi i normalizimit monetar nga Banka e Shqipërisë dhe kërkesa e lartë e investitorëve ka sjellë një rënie në përmasa të papritura të yield-eve në pjesën e parë të këtij viti.
Në ankandin e kësaj jave, shuma totale të kërkesave arriti në 8.6 miliardë lekë, nga 7.2 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Pro rata ose pjesa e pranuar e ofertave konkurruese rezultoi sërish e ulët, në nivelin 37.58%.
Ndërkohë, ankandi i bonove 6-mujore ka dështuar për të dytën herë radhazi. Muajin e kaluar, Ministria e Financave dhe Ekonomisë refuzoi të gjitha kërkesat e paraqitura në ankandin e bonove me maturim 6-mujor. Arsyeja ishte sepse yield-i mesatar i ponderuar i kërkuar nga investitorët ishte 3.06%, shumë afër yield-it prej 3.09% të bonove 12-mujore. Veprimi i MFE ishte një lloj presioni ndaj tregut për t’i ulur yield-et e bonove afatshkurtra poshtë normës bazë të interesit.
Ndërkohë, si përgjigje investitorët dhe kryesisht bankat nuk paraqitën kërkesa për blerje në ankandin e kësaj jave, duke bërë që emetimi i bonove 6-mujore të dështojë për të dytën herë radhazi. Ky duket një sinjal se bankat nuk janë të gatshme të zbresin poshtë nivelit të normës bazë të interesit.
Shuma e planifikuar për emetim në ankandin e bonove 6-mujore ishte gjithsesi e ulët, rreth 1 miliardë lekë dhe nuk krijon probleme për buxhetin e qeverisë, që në këtë periudhë vlerësohet të jetë në tepricë të gjerë likuiditeti, për shkak të suficitit buxhetor dhe huamarrjeve në avancë që ka realizuar këtë vit, duke përfshirë edhe Eurobondin.
Tregu i bonove dhe obligacioneve duket se ka arritur në një pikë që ishte e vështirë të parashikohej në fundin e vitit të kaluar, kur yield-et po rriteshin me ritme galopante. Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë po mban të ulëta yield-et, por edhe normat e interesit të depozitave dhe kredive bankare në lekë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë mbledhjen e radhës për vendimmarrjen e politikës monetare ditën e mërkurë. Në rast se norma bazë e interesit nuk rritet as këtë herë, gjasat janë që yield-et të vazhdojnë të qëndrojnë në nivele të ngjashme.
Një situatë e tillë po bën që kushtet monetare në Shqipëri të jenë shumë më pak të shtrënguara krahasuar me shumicën e vendeve të Europës. Banka Qendrore Europiane e ka çuar normën bazë të interesit në nivelin maksimal historik prej 4.25%.
Sidomos për shkak të Lekut të fortë, Banka e Shqipërisë po ruan ende kushte relativisht lehtësuese monetare. Normat e ulëta të interesit po favorizojnë vijimin e rritjes së kreditimit dhe po i japin frymëmarrje ekonomisë. Por, nga ana tjetër mungesa e një shtrëngimi të mëtejshëm monetar mund të favorizojë rezistencën e presioneve të brendshme inflacioniste në ekonomi./Monitor