Policia e Krujës ka arrestuar 4 persona, të akuzuar për kultivim të lëndëve narkotike dhe vjedhje në banesa. Mësohet se tre prej tyre kanë thyer masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale: F.F., 23 vjeç, B. M., 20 vjeç, S. Gj., 36 vjeç, dhe K.M., 35 vjeç.
Njoftimi i policisë:
Krujë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kapjen në flagrancë të shtetasve që kryejnë vepra penale, kontrolleve të ushtruara për parandalimin e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, të vjedhjeve të pronës dhe pasurisë, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin.
Si rezultat i kontrolleve janë kapur në flagrancë 4 shtetas, 3 prej të cilëve kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasit:
– F. F., 23 vjeç, dhe B. M., 20 vjeç, të dy banues në Fushë Krujë, pasi kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës;
– K. M., 35 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe në fshatin Arramenas, Fushë Krujë, ishte konfliktuar me shtetasin B. B., 37 vjeç, banues në Fushë Krujë. Në vijim të veprimeve proceduale, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. B.;
– S. Gj., 36 vjeç, banues në Milot, pasi është kapur duke vjedhur një motomjet, në Fushë Krujë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.