“Pa dëgjesa e konsulta”, Teliti: Taksa e pronës do iu kushtojë qytetarëve 50 mln euro në vit

Në një dalje për mediat, nënkryetari i këshillit bashkiak Tiranë, Dorian Teliti ka dalë kundër vendimit për vendosjen e çmimit të referencës së pronës.

Ai pohoi se shqiptarët do të duhet të paguajnë taksë edhe për stallat dhe kasollet e lopëve tanë. Po ashtu PD ka dënuar aktin e qeverisë që sipas saj takson pa benefite dhe merr nga qytetarët pa dhënë asnjë shërbim pas.

REAGIMI I TELITIT
Edi Rama ka firmosur, siç di dhe bën vetëm ai, fap-e –fap-e-fap, një mandatë të re për familjet shqiptare. Një vendim qeverie në pikun e verës, kur vëmendja publike është më e ulët se kurrë, i marrë gjysmë fshehurazi dhe në mënyrë banditeske, pa dëgjesa, pa konsulta, pa e vrarë mendjen, do t’u kushtojë familjeve shqiptare pa dallim partie, krahine apo të ardhurash, 50 milionë euro në vit.

Kjo, sepse çmimi i referencës së pronës është rritur me 50-75 përqind.

Partia Demokratike e dënon këtë akt poshtërsie qeveritare, që takson pa benefite dhe merr pa dhënë, duke e kthyer qeverinë, nga mbrojtëse e interesave të qytetarit, në taksidar pushtuesi të brendshëm.

A iu kujtohet shakaja e madhe me Këshillimin Kombëtar, ku Edi Rama pyeste shqiptarët për Ballkanin e hapur, Surrelin e mbyllur, hashashin dhe ngrohjen globale, por jo për tema jetike për ta? Siç është përshembull rritja e referencës dhe taksës së pronës. Ai e dinte se kjo është një përgjigje që nuk mund të manipulohej, sic bëri me pyetjet e tjera. Këtë pyetje e la për t’ia bërë vetes në gusht dhe po vetë u përgjigj.

Prisni, se nuk keni parë gjë akoma.

Sot me VKM Rama ka rritur çmimin e referencës së pronës. Për vitin 2026 Edi Rama ka gati një ligj të ri, një shpatë të re Damokleu, që do ta lëshojë mbi kokat e shqiptarëve.

Ai planifikon që të fuqizojë një ligj të ri për taksën e pronës, që do ketë dy pasoja të tjera. Së pari, do të dyfishojë taksën e banesës nga 0.05 për qind në 0.1 për qind. Së dyti, do të rrisë llojet e pronave që taksohen, duke përfshirë ndërtesat për qëllime bujqësore dhe blegtorale. Fshatarit, fermerit dhe blegtorit shqiptar do t’i duhet të paguajë taksë edhe për stallat dhe kasollet e lopëve.

Kostoja financiare e taksës së re të katërfishuar të pronës, sepse është rritur si taksa vetë ashtu dhe cmimi i referencës, është vetëm njëra anë e medaljes.

Mijëra familje shqiptare nuk kanë certifikata pronësie, edhe pse kanë prona. Kjo do të hapë një kapitull të ri stresi për këto familje, të cilat do të përballen me taksidarët e qeverisë dy herë: për të marrë certifikatën e një prone dhe për t’u shpjeguar se nuk duhet të paguajnë taksë për të, se nuk e kanë me letra.

Po me familjet e shpronësuara nga tërmeti cfarë do të ndodhë? Qindra e qindra të tilla janë në apartamente dhe shtëpi të cilat nuk janë pronë e tyre. Qeveria nuk ua ka dhënë certifikatat e pronësisë dhe ata janë të dëmtuar dy herë. Kanë humbur shtëpitë dhe tani janë në banesa që nuk u përkasin. A do të taksohen edhe këta?

Këto vendime të Edi Ramës janë në vetvete një ftesë e qeverisë, një hapje dere që shqiptarët të ikin. Kjo masë është Pallati me Shigjeta në dalje të Shqipërisë që Rama pikturon për shqiptarët. Ai po na thotë: Ja ku e keni exit-in. Nuk ju duam, ikni! Me investitorët strategjikë, oligarkët dhe turistët nomadë, mund të jemi shumë më mirë se me ju.

Arena e Lajmit


“Pa dëgjesa e konsulta”, Teliti: Taksa e pronës do iu kushtojë qytetarëve 50 mln euro në vit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook