Debutimi i Luis Enrique në krye të PSG nuk shkoi sipas parashikimeve, ngecën që në start përballë modestëve të Lorient. Në “Parkun e Princave” ishte një situatë e pabesueshme, me tifozët që shihnin përkrah tyre, jo në fushë, as më shumë e as më pak, por Kylian Mbappe, kapitenin e Francës dhe një nga lojtarët më të mirë në botë. Jashtë ekipit ishin dhe Neymar e Verratti, zgjedhje të klubit këto që patën një efekt domino shumë të madh në lojën e PSG. Pavarësisht se në fushë zbritën nga minuta e parë blerjet e tyre të bujshme, Ramos, Lee, Asensio, Skriniar, Lucas Hernandez etj, PSG e kishte të vështirë të gjente rrugën e rrjetës, krijuan 20 raste për gol, por pa gjetur prekjen fituese, duke bërë që sfida e parë e këtij sezoni të ri të mbyllej në barazim pa gola.
Menjëherë pas këtij takimi, PSG bën prapa kthehu duke rikthyer në skuadër Kylian Mbappe. Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare, klubi francez bëri me dije se Mbappe nga kjo e diel është bashkuar me ekipin e parë. Situata është ndryshe për dy yjet e tjerë, Neymar dhe Verratti.
Sulmuesi brazilian u përpoq këto ditë të negocionte me Barcelonën për rikthimin e tij në “Camp Nou”, por kjo lëvizje është thuajse e pamundur në këto momente. Përballë një fakti të tillë, sipas L’Equipe, përfaqësuesit e Neymar kanë nisur kontaktet me klubin e Al Hilal për një transferim të tij në Arabinë Saudite. Jo vetëm L’Equipe, Sky Sport shkon edhe më tej duke shtuar se në orët në vijim mund të dalë “tym i bardhë”, Neymar pritet të pranojë ofertën e sheikëve saudit.
()