Italia është në kërkim të trajnerit për kombëtaren, ka dy kandidatë shumë seriozë, por për momentin nuk mund të bëjë zgjedhjen e saj. Dorëheqja e Roberto Mançinit dhe koha e shkurtër në dispozicion ka bërë që Federata Italiane të vihet në lëvizje, por për t’i dhënë zgjidhje situatës duhen ekspertë ligjorë.
“La Gazzetta Dello Sport” ka shpjeguar se zgjedhja e parë për Federatën mbetet Luçiano Spaleti, i cili nga ana e tij është gati që të pranojë të ulet në pankinën e të kaltërve. Por në këtë mes ka një pengesë dhe ajo është klauzola e famshme e vendosur në kontratën me Napolin. Kur Spaleti refuzoi rinovimin automatik të kontratës së tij këtë verë, Napoli i dha të drejtë të mos vazhdonte në pankinën e kësaj skuadre, por në këtë rast, u aktivizua një nga qindra klauzolat e famshme që vendos De Laurentis në marrëveshjet e tij me trajnerë e lojtarë.
Sipas saj, Spaleti nuk mund të nënshkruajë askund tjetër “për të ndihmuar konkurrencën” gjatë sezonit 2023-2024. Nëse e bën një gjë të tillë, do të duhet të paguajë 3,2 milionë euro në arkat e Napolit. Një shifër të cilën Federata Italiane dhe trajneri nuk kanë ndër mend ta paguajnë. Në këtë situatë, janë ekspertët ligjorë ata që po studiojnë interpretimet e mundshme të klauzolës, duke e cilësuar kombëtaren jo një konkurrente të Napolit, në mënyrë që të anashkalojnë pagesën. Por derisa të ekzistojë siguria e potë që klauzola bie poshtë, Spaleti nuk firmos.
Një situatë që ka lënë në pritje edhe Antonio Konten, zgjedhjen e dytë për pankinën e Italisë. Federata i ka bërë të qartë se nëse nuk ka akord për Spaletin, atëherë ai është i mirëpritur të kthehet në një post që e ka mbajtur edhe më parë. Por për momentin, edhe ai është “peng” i kësaj klauzole në kontratën e dikujt tjetër, që do të vendosë njëkohësisht si të ardhmen e Spaletit, ashtu edhe të tijën./ Panoramasport