Nis ditën e nesërme dhe për 1 javë rresht Pelegrinazhi i madh i Bektashinjve në malin e Tomorrit.
Për të shmangur problemet në lidhje me këtë organizim të madh, DVP Berat ka ndërmarrë një plan masash.
Policia e Beratit në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, janë angazhuar me qëllim sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore, lëvizjen e qarkullimit normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë dhe në zonat turistike, gjatë zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”.
Ka qenë zëvendës drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Luan Mema ai që në një komunikim për mediat ka bërë me dije se policia është angazhuar për garantimin e rendit.
Mema ka shpjeguar edhe intenerarin e lëvizjes së mjeteve gjatë ngjitjes dhe zbritjes nga mali si dhe kufizimet e qarkullimit.
INTINERARI.
-Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: “Hyrja e qytetit të Beratit–Rrethrrotullimi i Kombinatit–Unaza e qytetit–Rrethrrotullimi i Uznovës–Kryqëzimi i Plirëzit–Teqeja e Kulmakut”.
-Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga mali i Tomorrit ( nga teqeja) do të jenë: “Teqeja e Kulmakut-Bargullaz-Pronovik–Poliçan–Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea”–Rrethrrotullimi i Kombinatit” dhe “Teqeja e Kulmakut–Novaj-Bogovë-Poliçan-Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea”– Rrethrrotullimi i Kombinatit”.
-Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohen të përdorin aksin rrugor “Çorovodë–Gjerbës–Teqeja e Kulmakut” dhe anasjellas.
KUFIZIMET:
-Për mjetet: Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë-Berat”, ”Ura Kuçit–Dimal-Berat”, “Pobrat-Dimal-Berat”, ”Berat-Mali i Tomorrit”, ”Berat-Çorovodë” dhe ”Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorrit”,nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00 – 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.
-Autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz –Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit”.
-Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz-Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.
Gjithashtu, janë të ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve, në akset rrugore. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qëndrimi dhe parkimi i mjeteve.
()