Kreu i “Nismës Thurje”, Endri Shabani në një intervistë në News24, foli për koncesionin e sterilizimit dhe arrestimet lidhur me këtë çështje.
Gjatë bisedës në studio, Endri Shabani u shpreh se ky ishte një hetim i vonuar, duke shtuar se paratë e vjedhura duhet t’u kthehen qytetarëve shqiptarë.
Ndër të tjera shtoi se hetimet nuk duhet të qëndrojnë në nivele zëvendës ministrash, por të thellohen më tej, pasi sipas tij ka të tjerë emra të përfshirë në këtë çështje.
“Ne kemi zgjedhur një rrugë të përballjes, pa ndonjë spektakël, por me rezultat. Unë mendoj që nuk mjafton të mbetemi në nivel zv.ministrash. Këtu janë vjedhur paratë. Këto para janë bërë vila, janë fshehur nëpër bodrume, jahte. Pasuria që i është vjedhur këtij populli është shumë më e madhe. Vilat që janë ndërtuar me këtë sterilizim duhet të kthehen në qendra shëndetësore. Pra hetimet duhet të shkojnë më lart si edhe duhet t’u kthehen paratë qytetarëve. Ne kemi besuar që lufta e vërtetë në Shqipëri duhet të jetë institucionale, në SPAK kemi çuar gjashtë çështje. Këta ruajnë njëri-tjetrin. Këta janë në një nivel shantazhi me njëri-tjetrin. Ne jemi të rinj dhe duam një frymë tjetër. në 30 vite këta nuk e kanë prekur njëri-tjetrin, kanë qenë në marrëveshje me njëri-tjetrin. Kjo është një nga aferat e promovuara nga Edi Rama. Rama duhet arrestuar ose për korrupsion ose për paaftësi. Nëse njerëzit kanë zgjedhur një kryeministër që promovon afera që dalin të korruptuara, ose është i djallëzuar ose është i paaftë. Ndaj nuk e përjashtoj edhe Edi Ramën”, tha ndër të tjera Endi Shabani.
()