Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Quo Vadis Europa?” me ftesë të Përfaqësuesit tëLartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
Gjatë fjalës së saj, në sesionin “Zgjerimi dhe Fqinjësia/ Ballkani Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, Ministrja Xhaçka theksoi se kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë e zgjoi Bashkimin Evropian dhe e detyroi atë të mendonte strategjikisht sa i përket çështjes së zgjerimit.
“U desh një luftë, por sot BE-ja është e përqendruar si kurrë më parë dhe po tregon vullnet për të vepruar në mënyrë strategjike ndaj Ballkanit Perëndimor. Ka një ndryshim real në qasjen e BE-së ndaj rajonit, i cili mund të shpresojmë se do të zgjasë dhe do të bëhet konkret në të ardhmen”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.
Ajo theksoi se BE duhet të japë një sinjal të qartë duke përcaktuar një afat kohor paraprak të integrimit të rajonit, gjë e cila sipas saj, do ofronte një kornizë dhe një objektiv të qartë se çfarë dhe kur duhet arritur.
“Shpresojmë që BE-ja do të punojë me ne për konvergjencën ekonomike dhe sociale sepse pa e ndihmuar rajonin të ngushtojë hendekun e zhvillimit që vitet e fundit është zgjeruar, vështirë se do ta arrijmë atë më tej në rrugën drejt BE-së. E fundit, por sigurisht jo më pak e rëndësishmja, dua të theksoj nevojën për mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi nga partnerët tanë evropianë dhe një angazhim nga ana e tyre se zgjerimi do të bazohet në merita”, nënvizoi kryediplomatja shqiptare.
Në konferencën e organizuar në Snatander të Spanjës marrnin pjesë liderë politikë nga shtetet anëtare të BE-së, Ukraina dhe vende të tjera kandidate, eurodeputetë, profesorë universiteti dhe ekspertë për çështjet më të rëndësishme gjeopolitike.
()