Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj ka reaguar sërish me një letër publike nga burgu.
Në letrën e postuar në rrjetin social, Facebook, Goxhaj shkruan se dorasit (vrasësit) e paguar nuk i kanë munguar trojave tona, teksa shton se, sot gjenden më nëpër skuta të errëta ku edhe hija do të trembej të hynte, përkundrazi, sot ata i gjen nëpër korridoret dhe zyrat e sistemit juridik.
Kujtojmë se Goxhaj u arrestua në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës më 31 korrik.
Dorasit dhe kallauzët e Serbisë në Kosovë
Fatkeqësisht, dorasit (vrasësit) e paguar nuk i kanë munguar asnjëherë këtyre trojeve tona. Dikur, këta doras, i gjeje nëpër skutat më të errëta e mejhanet më të qelbura të kasabave (qendrave të banuara) tona. Atëherë këta doras i përkisnin një kategorie njerëzish shumë të ulët dhe, pothuajse pa përjashtim, në nivelin e analfabetit. Ndërsa sot niveli i këtyre dorasve ka ndërruar 180 gradë. Në rast se në ato vite të errëta për popullin tonë dorasit ishin pothuajse 100% shqiptarë, sot ata janë 100% të huaj. Dhe këta të huaj i përkasin një kategorie njerëzish të mirëarsimuar.
Sot këta doras nuk gjenden më nëpër skuta të errëta ku edhe hija do të trembej të hynte, përkundrazi, sot ata i gjen nëpër korridoret dhe zyrat e sistemit juridik. Këtyre dorasve me jaka të bardha e toga të zeza sot u është dhënë edhe statusi special për detyrën që kanë marrë përsipër të kryejnë.
Sot këta doras quhen Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Gjykata Speciale në Kosovë. Dorasit e paguar te ne gjithnjë kanë qenë në shërbim të fqinjëve tanë e veçanërisht të Serbisë.
Edhe sot këta doras me toga të zeza janë vënë ekskluzivisht në shërbim të Serbisë. Nëpërmjet këtyre dorasve Serbia po kërkon të eliminojë totalisht UÇK-në, këdo që ka luftuar në radhët e saj dhe këdo që guxon të mbrojë ose të dalë në mbrojtje të UÇK-së.
Jo më larg se para tri ditësh, Ministri i Mbrojtjes i Serbisë kërcënoi haptazi Maqedoninë e Malin e Zi për njohje të Kosovës. Imagjinoni se çfarë urrejtjeje dhe në çfarë gjendjeje emocionale dhe psiqike ndihet shteti serb përballë asaj organizate politiko-ushtarake e cila e solli Kosovën në këtë pikë që gjendet sot. Prandaj, Serbisë i duhet sot dorasi special në formë prokurorie dhe gjykate që të hakmerret ndaj atyre njerëzve që i shkaktuan Serbisë turpërimin e saj më të madh në gjithë historinë e saj, qoftë si mbretëri dikur, qoftë si republikë sot.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është i vetmi formacion politiko-ushtarak në trojet shqiptare që e çoi deri në fund dhe i kreu plotësisht detyrat e saj strategjike dhe operacionale, detyra këto të përcaktuara haptazi në emrin e saj “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
Kjo ushtri arriti, me ndihmën edhe të NATO-s, të realizonte çlirimin e Kosovës. Ajo arriti të bëjë atë që asnjë organizim tjetër politiko-ushtarak që nga Lidhja e Prizrenit nuk kishte mundur ta bënte. Arriti të përzinte Serbinë ushtarakisht nga trojet shqiptare në Kosovë, duke e detyruar atë jo vetëm të tërhiqet me turp, por edhe të detyrohet që gjatë tërheqjes të kërkojë mbrojtjen e KFOR-it nga frika e UÇK-së. Ndaj, Serbia kurrë nuk do të heqë dorë së luftuari kundër UÇK-së dhe luftëtarëve të saj. Sot ajo ka bërë një kontratë me dorasin që quhet ZPS dhe Gjykatë Speciale, por që kjo kontratë vrastare të arrijë të realizohet i duhen edhe disa kallauzë. Duhen këta kallauzët vendas që të ndihmojnë dorasit e huaj në realizimin e detyrës që kanë marrë përsipër të kryejnë. Dhe këtyre kallauzëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë vendosur në një vend pune në administratën e shtetit të Kosovës, u është dhënë një status special më vete. Këta kallauzë sot konsiderohen ca si dëshmitarë të mbrojtur, e ca si dëshmitarë të fshehur, por të gjithë janë thjesht vetëm kallauzë-dëshmitarë të rremë. Sot, me ndihmën e këtyre kallauzëve të rremë, këta doras po dënojnë, tentojnë të dënojnë, burgosin e tentojnë të rrëmbejnë me procedura ish-luftëtarët.