Një hap larg mrekullisë. Si kurrë më parë në histori, Partizani ka shansin e artë të kalojë në fazën e grupeve të një kompeticioni evropian. Të kuqtë nuk kanë qenë brilant në këtë aventurë, por në fund loja ka pak rëndësi, në këtë pikë “demat” do të bëjnë gjithçka për të hyrë në grupet e Conference League.
Kjo do të ishte një arritje e madhe për ekipin kryeqytetas, luhet për prestigj, por pa diskutim luhet edhe për pará. Në shtëpinë e Partizanit janë të vetëdijshëm se kalimi në fazën e grupeve do t’i garantonte minimalisht 3,69 milionë euro, edhe nëse i humbasin të gjithë ndeshjet në fazën e grupeve, por këtu futen në lojë edhe elementë të tjerë si e drejta televizive, përftimi nga biletat, e shumë detaje të tjera që mund t’i dërgojnë përfitimet në një tjetër nivel.
Duke lënë jashtë llogaritë, më parë të kuqtë duhet të përmbysin Astanan, kjo nuk është aspak e lehtë duke parë edhe atë që prodhoi sfida e parë. Kazakët ishin dominues, siguruan një fitore minimale 1-0, por VAR iu kthye në makth teksa anuloi tre gola.
Trajneri Zekic ka pasur më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur këtë sfidë, pasi FSHF dhe Teuta i bënë një dhuratë të çmuar duke i lënë pushim në javën e parë. Dilema e vetme është prezenca e Mba.
Rikuperimi i sulmuesit po ecën me ritme të pëlqyeshme, por Mba nuk është ende gati, të paktën jo për momentin. Lajmi i mirë është rikuperimi i Eros Grezdës. Partizani-Astana do të luhet të enjten në orën 20:00 në “Elbasan Arena”.
()