Reportazhi i Sky Sport Italia në Koverçano, sekretet se si lëvizja futbollistike shqiptare është gjithnjë në rritje

Në fillim të muajit gusht Shqipëria U-19 zhvilloi një miqësore me Italinë U-19 në qendrën teknike të Koverçano, duke konfirmuar kështu traditën e mirë të krijuar mes dy federatave. Gjatë viteve të fundit janë organizuar rregullisht miqësore mes ekipeve kombëtare të moshave, ndërkohë që gjatë ndeshjes së fundit emisioni televiziv “La Giovane Italia” i kanalit “Sky Sport Italia” ka realizuar një reportazh për ekipin kuqezi dhe stafin teknik. Së bashku me kuqezinjtë ka qenë edhe Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, i cili ka rrëfyer punën dhe projektet e Federatës veçanërisht në sektorin e të rinjve në ekipet kombëtare të moshave dhe si po rritet lëvizja futbollistike në Shqipëri.

“Dua t’ju sjell në botën e kombëtares U-19 të Shqipërisë që t’ju njoh me të rinjtë e Shqipërisë. Në FSHF jam supervizor i 6 departamenteve, por sigurisht, fokusi im kryesor janë ekipet kombëtare të moshave, që kishin nevojë për një projekt të ri, dhe e kemi krijuar e po e zhvillojmë së bashku me trajnerët tanë, të cilët punojnë me kohë të plotë dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm dhe shumë pozitiv, që Presidenti i FSHF-së e ka kërkuar dhe është pikërisht ai që po na ndihmon të bëjmë disa hapa përpara drejt objektivit tonë, që është të përmirësojmë cilësinë e lojtarit mesatar përmes stërvitshmërisë”, – thotë Pea duke folur për mikrofonin e “Sky” në qendrën teknike të Italisë në Koverçano, aty ku edhe u luajt miqësorja e radhës.

Drejtori Teknik vlerëson vizionin e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe ambicien e përbashkët për t’u përmirësuar dhe për t’u rritur në të gjitha drejtimet me ekipet kombëtare të moshave, e si rrjedhojë ky ndikim do të transmetohet edhe në futbollin shqiptar.

“Kështu që do të kemi mundësinë të monitorojmë lojtarët të cilët luajnë jashtë, ka shumë që luajnë edhe në Shqipëri, dhe të organizojmë çdo javë seanca stërvitore me lojtarët e ekipeve kombëtare të moshave të cilët jetojnë në Shqipëri dhe kjo për ne është një motiv i rëndësishëm dhe nga pikëpamja ime do të sjellë edhe rezultate, që nuk janë thjeshtë fitoret, por është rritja individuale e çdo lojtari. Ky është një aspekt tek i cili ne besojmë shumë. Kemi shansin që kemi në krye të FSHF-së një president si Armand Duka, një menaxher i zoti që i kupton gjërat para të tjerëve, madje gjithçka që përfaqëson federata sot është një projekt i tij, që është rritur shumë.

Ne po punojmë sipas ideve të tij dhe ka edhe projekte të tjera që na presin. Sot Shqipëria e futbollit është një realitet që përpiqet të përmirësohet, të rritet, ka dëshirë të njohë sa më shumë dhe është një territor që duhet mbajtur në konsideratë, sepse FSHF me kalimin e kohës është kthyer në një federatë ambicioze”, – thekson Pea, duke shtuar: – “Puna me kohë të plotë të jep mundësinë të jetosh çdo ditë me punën në federatë, të ndash me të tjerët mendimet e tua dhe duke qenë se futbolli është një lojë skuadre, kjo gjë dhe lidhjet përshpejtojnë proceset për të arritur tek arritja e objektivit. Kam punuar vite më parë me futbollin e të rinjve, paraditeve punoja dhe pasditeve stërvitja ekipin, madje edhe mbrëmjeve më duhej të punoja. Koha që kisha për t’ia dedikuar studimeve ishte e pakët. Kush punon me kohë të plotë sigurisht që ka mundësi të përmirësojë para së gjithash veten dhe pastaj edhe punën e tij”.

Më tej, ai tregon edhe pak nga eksperienca e tij me skuadrën e të rinjve tek Interi, ndërkohë që trajneri i ekipit të parë ishte portugezi i famshëm Hoze Murinjo, një njeri që vlerësonte shumë punën me të rinjtë.

“Ndonjëherë të rinjtë shërbejnë pak, por duhen në momentet vendimtare. Unë besoj se marrëdhënia mes trajnerit të ekipit të parë dhe ekipit U-19 është shumë i rëndësishëm, sepse ky binom mund të sjellë rezultate në të dyja drejtimet. Rezultatet janë sigurisht sportive, por edhe në rritjen e lojtarëve, sepse ne që punojmë në prapaskenë e kuptojmë se sa e rëndësishme është të kesh një futbollist që rritet, por duke e ditur që është i huazuar apo në provë për një periudhë, sepse kur kthehet nuk humbet kohë në rritjen e tij.

Trajneri Muronjo tek Interi më dha mundësinë të përjetoja punën me ekipin e parë të Interit të përbërë nga kampionë. Nuk ishte diçka e zakonshme në atë periudhë që një trajner i ekipit U-19 të shikonte vazhdimisht stërvitjen e skuadrës së parë të një klubi. Ai më dha këtë mundësi, që të shikoja një botë të re për mua. Aty pashë nga afër shumëçka për mënyrën se si ai punonte, një personazh i jashtëzakonshëm, jo vetëm si trajner që dihet tashmë, por edhe për një pjesë që mua si trajner të U-19 më dha një konsideratë befasuese dhe për këtë e vlerësoj shumë”, – u shpreh Pea për “Sky Sport Italia”.

Edhe trajneri i Kombëtares U-19, Ervin Bulku, ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë me Federatën Italiane, por edhe kontributin që kanë dhënë teknikët italianë për Kombëtaren A ndër vite duke ndihmuar kuqezinjtë të rriten me eksperiencën e tyre.

“Është një eksperiencë e bukur, sepse unë kam punuar për shumë vite me trajnerët italianë të Kombëtares si Gianni De Biasi, Christian Panucci dhe Edoardo Reja, një trajneri i madhe dhe me shumë eksperiencë. Edhe De Biasi ka shkruar historinë me kombëtaren shqiptare. Me Federatën Italiane kemi një raport shumë të mirë dhe më duhet të falënderoj federatën dhe italianët, sepse na kanë ndihmuar shumë për t’u rritur si kombëtare apo edhe sektorin e të rinjve. Shpresojmë që të rritemi së bashku dhe të përfitojmë nga eksperienca e tyre dhe të urojmë që të ecim përpara me projektin tonë, pasi kohët e fundit kemi bërë shumë punë të mira me një stadium të ri apo edhe me investimet në infrastrukturë”, – tha Ervin Bulku për “Sky Sport Italia”.

Në fund, personazhe të këtij reportazhi kanë qenë edhe dy nga futbollistët kuqezi, Flavio Sulejmani dhe Adi Kurti, të cilët aktivizohen me skuadrat italiane dhe janë dy nga më premtuesit e kësaj gjenerate.

Sulejmani, i rritur në Itali si futbollist, ndihet shumë krenar që vesh fanellën kuqezi, ndërsa jep edhe mendimin e tij për aftësitë e Kurtit.

“Jam krenar që jam thirrur të bëj pjesë në Kombëtaren U-19 të Shqipërisë, por edhe sepse është hera e parë që stërviten në qendrën teknike të Koverçanos. Adi për mua ka mentalitetin e duhur, përveç cilësisë në fushë, për të bërë një karrierë shumë të mirë në futboll. Është gjithmonë i fokusuar në stërvitje dhe më pëlqen mënyra se si ai punon”, thotë sulmuesi, ndërkohë që mbrojtësi tregon pak nga eksperienca e tij me kombëtaren, klubet dhe si ndihet me Sulejmanin në një ekip.

“Jam shumë i lumtur për eksperiencë time në Itali, kam luajtur një vit te Sampdoria, ndërsa këtë sezon shkova te Verona. Ndihem mirë me trajnerin Bulku, sepse kërkon nga ne shpirtin e duhur të garës e të grupit, agresivitet, gjëra që më pëlqejnë.

Flavio është shumë i fortë në lojë një për një, edhe në duelet ajrore është gjithashtu i fortë, shënon gjithmonë, edhe me klubin dhe me Kombëtaren. Kur luan kundër meje në stërvitje, nuk më kalon kurrë”, – përfundon Adi Kurti.

Arena e Lajmit


Reportazhi i Sky Sport Italia në Koverçano, sekretet se si lëvizja futbollistike shqiptare është gjithnjë në rritje

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook