Interi vazhdon me rezultatet pozitive në kampionat, teksa këtë herë mposhti 4-0 Fiorentinën në shtëpi. Mbi të gjitha, zikaltërit vijojnë të ruajnë portën e paprekur, të vetmit në Serie A për këtë fakt.
Marcus Thuram realizoi golin e parë me fanellën e nënkampionëve të Europës, kur në minutën e 23-të shënoi me kokë, duke shfrytëzuar në maksimum krosimin e Dimarcos.
Sulmuesi francez Thuram dhuroi asist te goli i dytë, me Lautaron që thelloi epërsinë në minutën e 53-të. Pak më pas, Calhanoglu u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke çuar shifrat në 3-0. Të besuarit e Inzaghit ishin të pamëshirshëm, pasi Martinez “tundi rrjetën” përsëri (73’). Me 3 pikët e siguruara, trajneri i Interit Inzaghi aktivizoi edhe Asllanin në 12 minutat e fundit.
()