Nisma Thurje ka denoncuar sot në SPAK ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe disa zyrtarë të AZHBR-së, në lidhje me abuzimet me fondet e Ipardit, që u ndërprenë nga BE.
Në një dalje për mediat, kreu i nismës ‘Thurje’ Endri Shabani i bëri thirrje SPAK që të hetojë zinxhirin vendimmarrës.
“Do të vazhdojmë të vijojmë kallëzime për 30 vite për ata që vjedhin këtë vend. Sot kemi bërë kallëzim për abuzimet e AXHBR-së, të fondeve të Ipardit. Kërkojmë hetim të ish-ministres së Bujqësisë dhe të përgjegjësve të tjerë. Ne shpresojmë që kjo të jetë një vijë ndarëse, e pakalueshme për dy arsye. Jemi para dy rasteve, të tradhtisë të fermerëve, pasi ai është i tradhtuar nga qeveria e vetë. Fëmijët tanë pinë qumësht nga Serbia dhe hanë domate nga Maqedonia. Po mirë që e kanë lënë fermerin vetëm dhe i heqin aksesin fermerëve nga tregjet, por edhe kur vijnë fonde nga BE, që ta ndihmojnë atë që të punojë më lirë, këto lekë i vjedhin. Vjedhin me një grup oligarkësh, siç kanë bërë 30 vite. Jemi para një vije ku nuk duhet të kalohet, drejt rrugës së BE. Ne përjashtohemi nga fondi i ndihmës që jepet nga europianët.”, tha Shabani.
Po ashtu, Soko tha se janë denoncuar dhe zyrtarë të tjerë. “Kemi denoncuar dhe zyrtarët kanë pasur detyrë për të kontrolluar fondet dhe dokumentacionet. Ne kemi marrë të gjitha të dhënat dhe flasim për raste konkrete. Fondet e Ipardit vinë për fermerët”, tha Pano Soko.
()