Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani merr zyrtarisht detyrën pas betimit në Presidencë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka marrë zyrtarisht detyrën pas betimit në mesditë tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Ministri i ri i Jashtëm, Igli Hasani, u prit në ambientet e MEPJ nga paraardhësja, Olta Xhaçka dhe stafi diplomatik, ku u mbajt edhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës, në prani edhe të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u shpreh se prioritet kryesor i MEPJ do të vijojë të jetë integrimi evropian, teksa theksoi se kryesimi shqiptar i OSBE-së dhe angazhimi në Këshillin e Sigurimit e kanë rritur cilësisht rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Na takon neve të gjithëve që të përpiqemi të sjellim më shumë investime në vendin tonë, që ta ndihmojmë këtë progres cilësor që ka marrë ky vend kaq i bukur. Jam shumë i bindur që së bashku do të krijojmë modalitetet e duhura për të avancuar edhe më tej në rrugën që kemi përpara”, tha ai.

Zv. Kryeministrja Balluku vlerësoi punën e deritanishme të ish-Ministres Olta Xhaçka, teksa i uroi suksese Ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, në detyrën e re.

“Unë besoj se falë vizionit të qartë që Olta prej kohësh ka implementuar duke ngritur nivelin e MEPJ në një nivel tjetër dhe me dëshirën që unë e shikoj që Igli e ka të fortë për të vazhduar, vetëm punë të mira do të bëhen në të ardhmen dhe vetëm arritje të tjera do të shënojmë në diplomacinë shqiptare”, u shpreh ajo.

Ish-Ministrja Olta Xhaçka vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin e trupës diplomatike, gjatë këtyre viteve që ajo i cilësoi si mjaft sfiduese por mjaft të suksesshme për diplomacinë shqiptare.

“Jam shumë krenare për avancimin e procesit të integrimit në BE dhe afrimin e ëndrrës së shqiptarëve për t’u rikthyer në Evropë dhe jam veçanërisht krenare për angazhimin e palodhur në mbështetje të Kosovës. Shqipëria sot gëzon një reputacion të admirueshëm në arenën ndërkombëtare sepse kemi ditur të përballemi me sfida të jashtëzakonshme”, tha ajo.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani prej nëntorit 2021 ka shërbyer si Koordinator i Dimensionit Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së.

Ndërsa më herët ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, ku ka drejtuar Misionin e Shqipërisë në OSBE, nga janari i vitit 2018 deri më nëntor të 2021, kohë gjatë së cilës Shqipëria pati edhe kryesinë e radhës së OSBE-së.

Arena e Lajmit


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani merr zyrtarisht detyrën pas betimit në Presidencë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook