Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të një 31-vjeçari në Lezhë, pasi ky i fundit postoi një video në rrjetet sociale ku shfaqej duke i dhënë një cigare me kanabis një të mituri.
Balla u shpreh se pas njohjes me videon të clën e quan skandaloze, i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit identifikimin e këtij personi dhe më pas autoritetet kanë bërë të mundur arrestimin e tij.
Sipas ministrit i arrestuari akuzohet për nxitje të përdorimit të lëndëve narkotike në rrethana rënduese.
“Mirëmbrëma, jam njohur sot pasdite me një video skandaloze ku një person i papërgjegjshëm duket se i ofron një cigare (të dyshuar hashash) një të mituri. Menjëherë i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit identifikimin e këtij personi dhe më pas Policia ka bërë të mundur ndalimin e tij të menjëhershëm dhe shoqërimin në Komisariatin e Kurbinit, i akuzuar për nxitje të përdorimit të lëndëve narkotike në rrethana rënduese”, u shpreh Balla.