Djali u mbyt në guvën e ujit/ Si u bllokua uji me leshin e bagëtive. Legjenda e Krahinës së Gorishtit

Udhëtuam 27 kilometra nga qyteti i Vlorës për të mbërritur në Gorisht. Një vend kodrinor me reliev shumë të thyer me një tokë argjirore dhe shkëmbore. Lartësia mbi nivelin e detit në këtë territor arrin deri në 622 metra. Gorishti është krahinë me një sipërfaqe toke të madhe, ai përbëhet nga tre fshatra dhe 13 lagje, ku dikur në këtë krahinë numri i familjeve ishte 460, që çonin në 2550 mijë numrin e njerëzve. Gorishti përbëhet nga fshatrat Rexhepaj, Mërtiraj dhe Hadëraj.

Po çfarë flet gojëdhëna për këtë krahinë….

Sipas gojëdhënës 800-900 vjet perpara në Gorisht njihet një fis autokton i quajtur Gori. I biri Janit, qëndra e principatës. Gori lindi një djal të cilin e quajti Kostandin. Kostandini lindi Piron i cili lindi pesë djem. Mërtirin, Deçkën, Trockën, Xhakën dhe Sinjën.Nga ky fis autokton sipas gojëdhënës ndodhën ndryshime në periudha dhe kushte të ndryshme.Të pesë vëllezërit jetonin në qëndër në “Majën e Qytetit” Kjo qëndër banimi mendohet se është shumë e herëshme dhe i përket periudhës Ilire.Ky vend ndodhet në një pozicion strategjik për kohën e lashtë, një kodër dominuese 622 m mbi nivelin e detit. Ndërtimet në këtë truall zënë rreth 1.5 hektarë tokë. Por veç territorit të sotëm Gorishti zotëronte tokë edhe në Kutë të Mallakastres, ku edhe sot ka emra si “Gjeshtrat e Gorishtit”

Po kështu faltoret e tyre të njohur si: Maja e Kishës në Mërtiraj, Kisha në Polet dhe më vonë në Begaj, gjurmët e të cilave janë egzistente edhe sot. Ky fis mendohet të ketë bërë jetën baritore ku thuhet se kishin rreth 7 deri ne 8 mijë kokë bagëti dhe stanet i kishin në polet e Mërtire, bregu i Dese, vend që njihet si i shenjtë. Të pesë vëllezërit ndahen nga njëri tjetri sipas gojëdhënës:

Mërtiri vëllai i madh qëndroi në vend dhe u vendos në fshatin e quajtur sot Mërtiraj , pasi ky vend mori emrin e tij. Mërtiri bëri 3 djem shametin, Malon dhe Zenelin, pasardhës të të cilëve sot duhet të jenë, Imerajt, Lapajt, Nakajt dhe Shametaj.

Deçka vëllai i dytë u vendos në Deçkajt e sotëm. Deçka bëri dy djem , njëri prej tyre quhej Vangjel dhe mendohet sipas gojëdhënës të mos ta ketë vazhduar më tej trashëgiminë. Ndërsa djalin tjetêr i quajtur Niko thuhet se duhet të jetë fisi i Riza e Zigur Deçkës, por ka fjalë nga gojëdhëna që nga ky fis të jetë i tërë Rexhepi.Trocka vëllai i tretë qëndroi në vendbanimin e përhershëm në Kështjellën e qytetit dhe bëri dy djem dhe një vajzë. Djemt quheshin Piro dhe Jani, por djali i madh Pirua u mbyt tragjikisht një ditë kur po mbushte ujë në një guvë në shkëmbinjt e Haderajve. Pikërisht për këtë ngjarje ai ujë u bllokua me gjithë leshin e bagëtive dhe mendohet sipas gojëdhënês se ky ujë rrjedhë sot në Povël të Mallakastrës. Djali tjetër i Trockës Jani bëri tre djem, Avdulin, Rrapin dhe Myftarin ku nga ky fis sot janë Avdulajt, Çelajt, Asllanajt, ndërsa nga Rrapaj janë Veselaj, Tahiraj dhe Hysenaj. Ndërsa nga Myftari janë Myftaraj.

Xhaka vëllai i katërtë bëri Agronin i cili u vendos në Sevaster ku sot ky fis është bërë një lagje e tërë. Gojëdhëna tregon se Xhakajt 70-80 vjet më parë mbanin lidhje fisnore me Gorishtin, madje ata kishin tokat e tyre në Gorisht. Edhe sot në Kamenicë përmendet “Shpella e Xhake”Vëllai i pestë Sinja pati vetëm një djal të quajtur Sotir. Sinja kaloi Vjosën dhe u vendos në malin e quajtur sot Sinjë, aty krijuan fshatin e tyre me emrin e këtij fisi Sinjë.

Formimi i emrit Gorisht është shumë i vjetër, që nga ekzistenca e fiseve më të vjetra si të Janit, Gorit, Kostandinit domethënë para shek X dhe IX. Sipas një dokumenti turk të vitit 1431-1432 Gorishti njihet po me këtë emër Gorisht.

Teksti për historikun e tre fshatrave është bazuar në librin”Udhëtim në Bashkinë Selenicë” me autor Ergys Allushi dhe Novruz Barjamaj

Fshati REXHEPAJ: Ndodhet rreth 30 km në lindje të qytetit të Vlorës. Në lindje kufizohet me lumin Vjosë, në jug me fshatin Dushkarak, në perëndim me Haderaj dhe në veri me zonën e Koculit e të Karbunarit. Dikur ka qenë një nga tre lagjet e Gorishtit. Shtëpitë e fshatit shtrihen në pjesën më të lartë të një kodre, mbi lumin Vjosë. Shpellat e shumta, që ndodhen buzë lumit të Vjosës dhe janë ende të paeksploruara, vlerat arkeologjike dhe natyra tërheqëse, e bëjnë një vend të veçantë.Në juglindje të fshatit, pasi kalon pllajën

e Kamenicës, në vendin e quajtur “Konakët e Sazanëve”, buzë lumit të Vjosës, gjenden rrënojat e një grumbulli ndërtimesh të moçme. Zbulimet arkeologjike të kryera këtu në vitin 1984 kanë saktësuar praninë e një stacioni rrugor e të një banje termike që i takojnë periudhës së antikitetit të vonë. Kollonat e punuara me rrasa guri cilindrik, ambientet gjysmë sferoide të mbuluara me qemer dhe prania e fragmenteve të mozaikëve në shtrimin e dyshemeve, trego- jnë për nivelin e lartë në artin e të ndërtuarit nga mjeshtër vendas. Objekti kishte një formë drejtkëndëshe dhe ishte i përbërë nga të gjitha ndarjet e nevojshme të një ndërtese termash të shekujve të para erës sonë, si salla e zhveshjes, dhoma e ftohtë, kaldorusi me mjediset e ngrohta, vaskat, gurrat për ngrohjen e ujit e të tjera. Ajo është gjetur në një territor ku kalonte rruga Bylis-Amantia.Pjesë e një tempulli, e zbukuruar me dy rozeta, periudha helenistike.

Fshati Haderaj: Bën pjesë në zonën e Gorishtit. Ndodhet rreth 600 m mbi nivelin e detit, 28 km larg qytetit të Vlorës.

Në këtë fshat mund të njihesh me vlerat arkitekturore të banesave, me natyrën e bukur që e rrethon fshatin dhe bujarinë e traditën e mikëpritjes. Vargu i kodrave që nis në vendin e takimit të Shushicës me Vjosën arrin pikën më të lartë në masivin gëlqeror të Hadërajt. Prej majës së tij hapet një vështrim i gjerë mbi luginën e Vjosës dhe drejt lartësive të kodrave në jug të saj. Përtej Vjosës drejt veriut dallohen qartë Bylisi dhe Klosi, në vijë të kundërt nga jugu ngrihet qyteti i Amanties, nga jugperëndimi shikohen Mavrova dhe Kropishti. Ka qenë kjo arsyeja që në Hadëraj është ngritur një fortifikim antik, “Qyteza e Hadëraj”

Gjetjet arkeologjike e dallojnë kalanë në periudhën e antikitetit. Pozicioni gjeografik i vendndodhjes i lejonte banorët e kalasë të kontrollonin rrugë-kalimet e vjetra të karvanëve që kryqëzoheshin në atë vend. Në pjesën më të lartë të kodrës ruhen ende fragmente të mureve rrethuese të kalasë dhe mbetje arkeologjike që flasin për vazhdimësine e jetës këtu qysh nga periudha qytetare e antikitetit e deri në mesjetë. Kalaja e Hadërajt ngihej mbi një kodër 622 m të lartë.

Muret e qytezës me gjatësi rreth 380 m përfshijnë një sipërfaqe afër 0.6 ha mjaft të përshtashme për banim. Muri është i ndërtuar me blloqe gëlqerore të nxjerra nga shkëmbi i kodrës që ka një vendosje gjeologjike në forme shtresash me lartësi të barabartë. Përveç rrethimit kryesor kalaja e Hadëraj ka edhe 4 rrethime të tjera të mëvonshme.

Nga karakteristikat që paraqet kalaja të ngjan me kalanë e Trajanit (rrethi i Korçës) dhe të Karosit (rrethi i Vlorës), ku muret rrethuese përfshijnë vetëm një shpat të kodrës. Përveç fragmenteve të tjegullave e tullave. Në sipërfaqe gjenë të shpërndara edhe fragmente të enëve me parete të trasha, si pitosa, amfora, etj.

Zbulimet arkeologjike të bëra në vendin tonë, tregojnë se ilirët, stërgjyshërit tanë, kanë qenë mjeshtër të qeramikës.

Mbeturinat e një furrë qeramike, që ndodhet në Gjikaj, rreth 2 kilometra larg “Qytezës së Hadëra- jt”, janë një ndër dëshmitë e kësaj mjeshtërie, në periudhën e vonë antike.

Furra doli në dritë pas një gërmimi të cekët të bërë në një rrip të ngushtë toke, ku ngjyra e dheut ndryshonte nga ajo përreth.

Materialet e para që dolën nga gërmimi, ishin tullat, të cila ishin vendosur horizon talisht. Lidhja e tullave me baltë të pjekur, i bindi arkeologët për ekzistencën e një furre qeramike,e cila për nga ndërtimi është e ngjashme me atë të gjetur në Kuç të Zi të rrethit të Korçës.

Rrugët e vjetra të karvaneve janë rrugët që kryqëzohen në qafë pranë Majës së Qytetit. Nga perëndimi nëpër luginën e përroit të Vllahinës vjen një rrugë që të nxjerr në luginën e Vjosës dhe vazhdon gjatë bregut të majtë të saj drejt lindjes. Rruga tjetër që vjen nga Bylisi, pasi kalon Vjosën, ndjek kurrizin e kodrave që të çon rrëzë qytezës drejt Amanties.

Fshati MERTIRAJ ndodhet 29 km në lindje të qytetit të Vlorës, në anën e majtë të lumit Vjosë. Vite më parë, së bashku me Haderaj, konsideroheshin si lagje të Gorishtit.

Ky fshat bënë pjesë në zonën naftëmbajtëse të Gorishtit. Në të kaluarën banorët e fshatit i kanë siguruar të ardhurat ekonomike, duke punuar kryesisht me blegtori, frutikulturë, e më vonë duke punuar në ndërmarrjen e nxjerrjes e përpunimit të naftës. Me vendim të Këshillit të Ministrave, të datës 11 shkurt 1993, fshati Mërtiraj shpërngulet në lagjen “24 Maji” Vlorë, në banesat që u ndërtuan në vitet 1993, 1994 dhe 1995.

Edhe në këtë fshat gjurmët e shumta arkeologjike datojnë fillimet e jetës qysh nga periudha e antikitetit

Në vendin e quajtur “Maja e Bllakës”, në vitin 1980, gjatë hapjes së një rrugë lokale, u zbuluan mbi 30 varre të vjetra. Teknika e ndërtimit e gjetjet arkeologjike të gjetura në to, dëshmojnë për pranin e një vendbanimi që i ka fillimet në antikitetin e vonë e në mesjetën e hershme.

Por Gorishti dhe banorët e kësaj krahine, ashtu si çdo banor tjetër i krahinave të tjera, kanë qenë kundër sundimit turk dhe kanë luftuar kundër tij.

Lëvizjet e ndryshme patëriotike në Shqipëri si ato të shek 19-të, kanë gjetur jehonë edhe në zonën e Gorishtit. Janë të parat lëvizje shpirtërore e zgjimi i -ndërgjegjes, ato që u paraprijnë ngjarjeve të mëdha. Dallgët e mëdha të gjëmimeve, si ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878) e deri te Shpallja e Pavarësisë (1912), janë përplasur edhe në këto trojet e Gorishtit. Çështjet e luftës për liri e pavarësi, shtrojnë se pari zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Dhe shkolla e arsimi luajnë rol të dorës së parë për këtë zgjim. Studentët e Kolegjit Islamik në Shkodër themelojnë shoqatën “Gjaku i Kastriotëve, më 1889, student këtu ishte edhe Halim Rakipi, djalë i fshatit Rexhepaj. Halim Rakipi ishte zgjedhur edhe kryetar i kësaj shoqate. Kjo flet qartë për talentin dhe aftësitë e këtij djaloshi nga zonat jugore.

Veprimtaritë e Halim Rakipit s’kanë të pushuar, deri më 1920, i cili është një nga udhëheqësit e Çetës Luftarake të Gorrishtit. Ku po këtë vit ai jep jetën në luftën për çlirimin e atdheut. Ai është Heroi i Luftës se Vlorës 1920.

Në vitin 1905, në Manastir u mblodh fshehtas një Komitet i Patriotëve për organizimin e Kryengritjes së armatosur. Një degë e këtij Komiteti u krijua edhe në Gorisht, nën kujdesin e Halim Rakipit e pjesëmarrës të tjerë, si: Salo Islami, Buxhul Jaho, etj.

Për t’i dhënë jehonë platformës së këtij Komiteti, në Sherishtë të Vlorës, më 1907, organizohet një takim me banoret e krahinave të Vlorës. Edhe në këtë takim marrin pjesë Halim Rakipi, Salo Islami, Hodo Jaho, etj.

Më 1908, në Vlorë u krijua Klubi Labëria. Pjesëmarrës nga Gorrishti janë përsëri: Halim Rakipi, Hodo Jaho, Salo Islami, etj.

Më 21 korrik 1911, është Kuvendi i Cepos në Gjirokastër. Kërkohet pavarësia nga Porta e Lartë. Edhe këtu Halim Rakipi me të tjerë është pjesëmarrës.

Nën jehonën e këtyre Kuvendeve, veprimtarët e Gorishtit organizojnë një takim me gjithë banorët e fshatrave te Rrapi i Kushte (23 gusht 1911), këtu u ngrit edhe një çetë luftarake me pjesëmarrjen e Salo Islami, Hodo Jaho, Arif Banushi, Rrap Sherifi, e shume te tjerë.

Një sërë veprimtarish të tjera patriotike janë ato në prill e korrik 1911 e të tjera lëvizje, si ato gjatë vitit 1912, deri te Shpallja e Pavarësisë 1912.

Më 4 dhjetor 1912, në fshatin Rexhepaj organizohet një takim i zgjeruar me banorët rreth e qark, për t’i bërë jehonë shpalljes së Pavarësisë. Halim Rakipi në këtë takim premtoi se do të hapej edhe shkolla. Në prill 1913, një përfaqësi nga Gorrishti shkojnë në e zyrat e Qeverisë së Vlorës dhe kërkojnë të hapet shkolla. Krahas lëvizjeve luftarake, patjetër, pjesë e tyre ka qenë edhe hapja e shkollave shqipe në Gorisht, si para vitit 1912, e në vazhdim.

Tek botimi “Një nga nëntë të parat”, Agim Ruka: “Në vitet 1880-1890, këtu janë hapur shkolla në gjuhën turke fillimisht, po edhe në gjuhen shqipe”, fq. 13. Ose: “Më 1903, këtu janë sjellë evëtare (abetare) në gjuhën shqipe. Personazhet e njohur, të cilët janë marrë me çështjen e shkollave, si Halim Rakipi e Mystehak Hoxha. Mësuesi nga Shkodra, Rexhep Dizdari, vjen i emëruar në Rexhepaj, më 17 nëntor 1919.

Nismëtari i parë i hapjes së shkollës në Rexhepaj, duhet të jetë Halim Rakipi.

Halim Rakipi e Hodo Jahos të dy “u bënë iniciatore per të shpërndarë Abetaret Shqipe në grykat e Lumit të Vlorës

Sot, ne prapë nuk e gjejmë dot, se kur na çojnë gjurmët e mësimeve të para të shkollës shqipe në Rexhepaj, në ç’vit?

Por ajo që dihet nga gjurmët, Halim Rakipi duhet të jetë një nga misionarët e parë të shkollave në Gorrisht. Ai është një nga personazhet më të arsimuar në Gorrisht, për ato kohë, deri nga fundi i shek. 19-të e fillimi i shek. 20-të.

Në revistat italiane, thuhet që shkolla në Rexhepaj është hapur rreth viteve 1916-1918,Sipas Rexhep Dizdarit shkolla në Rexhepaj kishte qenë e hapur që në vitin 1917.Në Rexhepaj ekziston një objekt shkollor, ndërtuar nga vetë fshatarët.

Sipas kujtimeve të Rrap Sherifit shkolla në Rexhepaj është hapur në nëntor, të vitit 1916, të gjitha se bashku, të çojnë vërtet te kjo e fundit që shkolla në Rexhepaj është hapur në vitin shkollor 1916-1917.

Arena e Lajmit


Djali u mbyt në guvën e ujit/ Si u bllokua uji me leshin e bagëtive. Legjenda e Krahinës së Gorishtit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook