Tirana e pëson atëherë kur nuk pritej dhe nuk duhej. Bardheblutë, ashtu si një vit më parë ndaj Erzenit, e pësojnë në fazën e parë, duke u mundur 0-1 në shtëpi dhe shkuar në derbi me moralin e ulët dhe me presionin e mos humbjes së vendit të parë.
Një sfidë ku Tirana u kujtua vetëm në fund për të shënuar, por nuk arriti dot. Të dyja skuadrat e nisën ndeshjen duke studiuar njëra-tjetrën, me Tiranën që u duk që në fillim që nuk ishte mirë. Për të ardhur në minutën e 17-të.
Aksion i shpejtë i skuadrës shijakase me topin që kalon nga e majta në të djathtë, ku një gjuajtje kthehet në asist për Maliqin, i cili me një kthesë të shpejtë e çon topin në rrjetë, me portierin Lika të dorëzuar në këtë rast. Bardheblutë duken nervozë dhe këtë e tregojnë edhe kartonët e verdhë të marrë nga Hoxhallari dhe Mici.
Erzeni arrin ta mbyllë në avantazh të një goli pjesën e parë. Në fakt, ky gol mbeti në fuqi deri në përfundim të ndeshjes, pasi shijakasit u mbrojtën mirë edhe në të dytën. Tirana rriti ritmin ndjeshëm sidomos në 20 minutat e fundit të takimit për të shmangur të paktën humbjen, por nuk ia doli dot.
Madje ishte Erzeni që në 2-3 kundërsulme mund të kishte shënuar edhe golin e dytë, për traversa dhe Lika shpëtuan portën e bardhebluve. Një humbje që i prish shumë punë Tiranës për kreun, ndërsa nga ana tjetër, janë tri pikë me shumë vlerë për shijakasit, që e ngjisin përkohësisht në vendin e dytë.
()