Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë dhe ish-ambasadori Agim Nesho, i ftuar në studion e News24 ka folur në lidhje me situatën në Veri të Kosovës pas sulmit të fundit.
Ai u shpreh se sulmi ndaj policisë së Kosovës ishte një akt terrorist me paramendim që ndodhi brenda një shteti sovran.
Sipas tij ky sulm duhet të shërbejë si një “kambanë alarmi”, ndërsa shtoi se Serbia është thjesht një “satelit” i Rusisë.
“Ishte një akt terrorist me paramendim që ndodhi brenda një shteti sovran si Kosova. Ishte një paralele e sulmit rus ndaj shteteve fqinje, është i njëjti mentalitet. Asgjë nuk ishte rastësi. Kjo është një kambanë alarmi e fortë. Nuk mund të ketë një konferencë paqeje nëse nuk ka luftë në radhë të parë. Kosova nuk ka çfarë jep apo çfarë merr nga një konferencë e tillë. Nuk duhet të harrojmë që Serbia është thjesht një satelit i Rusisë. Serbia dhe Rusia po punojnë bashkë që të nxisin Perëndimin që të gjunjëzohet e të pranojë tavolinën e paqes për të krijuar arkitekturën e re të Europës”, u shpreh ai ndër të tjera.