Ish-kreu i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me operacionin që solli arrestimin e grupit të Laert Haxhiut dhe zbardhjen e disa vrasjeve.
Ai u shpreh se grupi kriminal që u ndalua mbrëmjen e djeshme vepronte “në gjysmën e Shqipërisë”, ndërsa shtoi se arrestimi i tyre do ulë ndjeshëm rrezikshmërinë në qytetet ku ata vepronin.
“Ka disa vepra kriminale të rrezikshme të kryera nga ky grup. Të gjitha ato rrisin rrezikshmërinë e tyre shoqërore dhe goditja e tyre sjell edhe një lloj qetësie për rrethet ku ata kanë vepruar. Ka qenë rreth gjysma e Shqipërisë e përfshirë nga veprimtaria e këtij grupi kriminal”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër ish-kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj u shpreh se vetë emri i operacionit “Never Forget” tregon se sado kohë të kalojë nga ngjarjet kriminale, hetimet për shumë prej tyre vijojnë.
“Vlen për tu theksuar edhe emërtimi i operacionit “Never Forget” ku jepet një mesazh se sado kohë të kalojë nga ngjarjet, vjen një moment për veprimin e ligjit. Flitet për 29 ngjarje kriminale të zbardhura”, tha ajo.