Ekonomia vuan pasojat e modelit të paqëndrueshëm/ Analiza: 200 VIP-at e 2022. Shumë xhiro për asgjë

Renditja e kompanive më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor, “Monitor 200”, për vitin 2022. Rritja e të ardhurave është e shpejtë për shumë sipërmarrje, por më shumë sesa rrjedhojë e përmirësimit të aktivitetit dhe investimit në teknologji, ka ardhur nga shtrenjtimi i çmimeve. Ngadalësimi i ekonomisë pas krizave të pandemisë dhe çmimeve veçse sa nxori dhe më shumë në pah dhe thelloi dobësitë e ekonomisë shqiptare: varësi e lartë nga importet, ekonomi jokonkurruese, produktivitet i ulët. Sipërmarrjet në industri po vuajnë nga kostot e larta dhe zhvlerësimi i Euros, duke dalë gjithnjë e më shumë nga renditja. Edhe industria mbështetëse automotive, e vetmja që po gjente terren, po shfaq probleme dhe shenja ngadalësimi. Tregtimi i energjisë është “ndërtimi” i ri, por dhe ky i fundit, si gjithmonë, nuk ndalet, sidomos ai rezidencial. Ndryshimet demografike dhe emigracioni po shkaktojnë zhbalancime të mëdha në tregun e punës, që vetëm sa vijnë e thellohen

 Nëse ka një mënyrë të mirë për të nxjerrë në pah dobësitë e një ekonomie është kriza. Depresioni i madh i 1929-1939, – kur globi përjetoi rënie të fortë në punësim, prodhim industrial e sidomos bujqësor, tregti dhe të ardhura, – filloi nga tkurrja e shpenzimeve dhe ekspozoi dobësitë në politikat monetare, koordinimin mes shteteve dhe standardin e arit. Zhvillimi i dot.com në fillim të viteve ‘90, i nxitur nga rritja masive e përdorimit të internetit, kaloi në flluskë brenda një dekade, që tregoi se në fakt këto kompani ishin të mbivlerësuara. Kriza financiare e vitit 2008, që shkaktoi recesion global, tregoi dobësitë në sistemin rregullator dhe mbikëqyrës financiar. Pandemia nxori në pah problematikën e sistemeve shëndetësore, zinxhirëve globalë të furnizimit, e kështu me radhë, shembujt janë të pafund. Ekonomia shqiptare është shumë më pak e strukturuar sesa ajo globale për vetë historinë e trashëgimisë së saj nga centralizimi socialist.

Por, nëse tri dekada janë të mjaftueshme për të krijuar një ide të modelit ku ajo po ecën, realisht është një ecuri rastësore, e orientuar më shumë nga intuita e vetë bizneseve, sesa një zhvillim i qëndrueshëm, i bazuar në politika të qarta institucionale, që do të nxiste konkurrueshmërinë dhe inovacionin.

Dy krizat, ajo e pandemisë dhe e çmimeve të larta të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, vetëm sa nxorën më shumë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë vendase:

-varësia e lartë nga importet; konkurrueshmëria e ulët e industrisë përpunuese që u bë dhe më e brishtë ndaj importeve;

-niveli i ulët i sofistikimit dhe vlera e ulët e shtuar e eksportuesve, që i bëri ata më të brishtë ndaj luhatjeve të monedhave;

-orientimi drejt industrive joproduktive si ndërtimi, që nuk bën asgjë për të ndihmuar në raste krizash;

-investimet e pakta në teknologjinë e informacionit, që mund të shërbenin si amortizator;

-ekonomia informale, që është aq e lartë saqë arrin të zhbalancojë të gjithë treguesit ekonomikë!

Rezultati më i dukshëm i kësaj ekonomie është korrelacioni i zhdrejtë mes rritjes ekonomike dhe të ardhurave e varfërisë.

Ndonëse rënia në pandemi ishte më e ulët se parashikimet (-3.3%) dhe rimëkëmbja ishte nga më të shpejtat në rajon, vendi sërish vijon të ketë varfëri të lartë dhe të ardhurat ndër më të ulëtat për frymë në Europë.

Treguesi i të ardhurave për frymë, në raport me mesataren europiane, ka ngecur në vite në 32-33%, më i ulëti në Europë, përveç Kosovës, Moldavisë e Ukrainës.

 

 

Në vitin 2022, ekonomia u rrit me 4.9%, pas një rimëkëmbjeje të shpejtë prej gati 9% në vitin 2021. Por, rritja u nxit në pjesën më të madhe nga lulëzimi i aktivitetit të pasurive të paluajtshme, e ndërtimi.

Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik ndikoi në rimëkëmbjen e konsumit, duke amortizuar tkurrjen e tij si rrjedhojë e emigracionit të lartë.

Burimi: INSTAT

 

Viti 2022 shënoi dhe nivelin më të lartë të inflacionit, që nga 1998-a, me 6.2% mesatarisht, që kulmoi në tetor në 8.3%, një reflektim i pasojave globale të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Të ndihmuara nga çmimet e larta, pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha në vend raportuan rritje dyshifrore të qarkullimit vjetor. Xhiro e 200 kompanive më të mëdha në vend, në vitin 2022, në renditjen e përvitshme të “Monitor 200” ishte 1.5 trilionë lekë (rreth 13 miliardë euro), me rritje prej 24% në raport me 200 më të mëdhatë në vitin 2021.

Por, kjo rritje, më shumë se një ndihmë ishte një telash për shumë kompani, që u përballën në kahun tjetër me shtim të kostove, apo me një reagim të konsumatorëve, që ulën blerjet dhe u fokusuan në mallrat e domosdoshme.

Ekonomia vijoi të vuajë pasojat e modelit ekonomik të paqëndrueshëm, i cili ka krijuar mjedis jokonkurrues, në shumë raste favorizues për një pakicë, pak investime në teknologji e orientim nga importi, mungesë të investimeve të huaja cilësore dhe vlerë të shtuar të ulët e pagat më minimale në Europë. Emigracioni, sa vjen e po bëhet një faktor gjithnjë e më pengues. Mungesa e fuqisë punëtore, e kualifikuar dhe e pakualifikuar, po kthehet në një pengesë reale të bizneseve, si për projektet e tyre të zgjerimit, edhe në përmirësimin e produktivitetit, teksa presioni për rritjen e pagave është i lartë, duke shtuar shpenzimet, pa ndikim real tek eficienca e ndërmarrjeve.

Problematika që u thellua nga krizat

Dy krizat, ajo e pandemisë dhe e çmimeve të larta të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vetëm sa nxorën më shumë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë vendase: varësia e lartë nga importet; konkurrueshmëria e ulët e industrisë përpunuese që u bë dhe më e brishtë ndaj importeve; niveli i ulët i sofistikimit dhe vlera e ulët e shtuar e eksportuesve, që i bëri ata më të brishtë ndaj luhatjeve të monedhave; orientimi drejt industrive joproduktive si ndërtimi, që nuk bën asgjë për të ndihmuar në raste krizash; investimet e pakta në teknologjinë e informacionit, që mund të shërbenin si amortizator; si dhe ekonomia informale, që është aq e lartë saqë arrin të zhbalancojë të gjithë treguesit ekonomikë!

Qeveria, me indiferencën e vet ndaj këtij fenomeni, nuk po ndihmon aspak, madje shpesh vë shkopinj në rrota me lëvizje të pastudiuara që nuk lidhen me ekonominë reale, si rritja e pagave me urdhër administrativ.

Modeli i promovuar i koncesioneve, që po rezultojnë në pjesën më të madhe korruptive, dhe shpërdorimi i parave të taksapaguesve po “demoralizon” sipërmarrjet që përballen me konkurrencë të padrejtë dhe mjedis të vështirë për të bërë biznes, siç është deklaruar hapur së fundmi nga shoqatat e investitorëve të huaj, që janë matësi më i drejtë i potencialit ekonomik në vend.

Edhe në vitin 2022, në renditjen e 200 më të mëdhave, mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese e shpërndarëse, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal. Ato vetëm faturojnë e rrisin artificialisht xhiron e ekonomisë dhe kanë një normë fitimi tepër të ulët. Vetëm një duzinë kompanish kanë aktivitet në industrinë përpunuese. Eksportuesit po vuajnë rënien e Euros, që u ka ulur të ardhurat në monedhën vendase, duke dalë nga lista e të mëdhenjve. Industria mbështetëse e prodhimit të pjesëve të automjeteve, e vetmja që po tërhiqte investime dhe kishte ecuri të mirë deri në vitin 2022, në pjesën e parë të vitit 2023 u dorëzua, duke ngadalësuar rritjen./Monitor

Arena e Lajmit


Ekonomia vuan pasojat e modelit të paqëndrueshëm/ Analiza: 200 VIP-at e 2022. Shumë xhiro për asgjë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook