Në letër ishte një “lojë fëmijësh” për Bayern Munich, por në Champions League, në nivele të tilla, asgjë nuk vjen lehtë. Ekipi i Thomas Tuchel vuajti jo pak në transfertë përballë Copenhagen, siguruan një fitore me përmbysje duke zgjatur akoma më shumë rekordin e tyre të pabesueshëm. Kjo ishte ndeshja e 36 radhazi në fazën e grupeve që Bayern nuk pëson humbje(33 fitore dhe 3 barazime). Simboli i këtij ekipi është pa diskutim Thomas Muller, me këtë sukses sulmuesi kap Iker Casillas si lojtari i dytë me më shumë fitore në Champions, plot 101.
Pas një pjesë të para të mbyllur me rrjeta të paprekura, Copenhagen kaloi në avantazh në minutën e 56-të. Bayern reagoi shpejt dhe në minutën e 67-të, Musiala me një aksion personal barazoi shifrat në 1-1. Në të 83-të, Muller dhuroi një asist fantastik për Tel me sulmuesin francez që nuk fali duke i dhuruar Bayern fitoren e dytë radhazi në Grupin A, gjashtë pikë të plota:
“E dinim që do të ishte e vështirë, kundër një ekipi që mbrohej fort, shumë kompakt. Sfida u bë më e vështirë pas golit të pësuar, por qëndruam të përqendruar deri në fund duke përmbysur rezultatin, jam i kënaqur me këtë”, u shpreh Tuchel pas ndeshjes.
()