Pamjet e asaj që ka mbetur pas zjarrit në pyjet e Pishporos dhe Darëzezës janë tragjike. Shkrumb e hi mijëra hektarë me pyje me pisha e shkurre bregdetare janë panorama e vetme që ofrohet.
Katastrofë mjedisore si askund tjetër në Shqipëri, e ka cilësuar ambientalisti Sazan Guri djegien e masivit pyjor në Pishporo dhe Darëzezë. Dukshëm një zjarr i qëllimshëm ka thënë ambientalisti Guri, pasi shkretërizimi iu jep favore urbane pronarëve.
Sipas tij dëmet mjedisore janë të pallogaritshme ku përveç florës dhe faunës së asgjësuar, shtohet niveli i gazit karbonik i cili shkakton dëme të mëdha në proceset e sotme globale. Ai ka theksuar gjithashtu se vetë qytetarët e Fierit duhet të marrin pjesë në rehabilitimin dhe kthimin në identitet të kësaj pasurie kombëtare me vlera të jashtëzakonshme.