Në letër ishin favorit kryesor në Grupin F, por PSG pësoi një humbje të rëndë në Angli, në transfertë përballë Newcastle, një humbje me “poker” golash që nuk ndodhte prej 19 vitesh. Klubi francez ka humbur shumë nga shkëlqimi i viteve të fundit, “qymyrxhinjtë” i dhuruan një leksion të pastër futbolli, i lejuan PSG të kishin kontrollin e topit, por krijuan 13 raste për gol, goditën 8 herë kuadrat, ndërsa në katër raste e dërguan topin në rrjetë.
17 minuta lojë i mjaftuan të shënonin golin e parë, ndërsa në të 39-tën, Burn dërgoi shifrat në 2-0. Newcastle ishte i papërmbajtshëm në këtë sfidë teksa me fillimin e pjesës së dytë realizuan edhe golin e tretë me Longstaff. PSG u përpoq të rikthehej në lojë ku në të 56-të, Lucas Hernandez ngushtoi shifrat në 3-1 me një goditje me kokë. Ekipi i Luis Enriques tentoi deri në fund të hape këtë sfidë, por me një Mbappe në hije e kishin shumë të vështirë, jo vetëm kaq, por në shtesë, Newcastle kompletoi “pokerin” e golave duke sigluar shifrat përfundimtare ne 4-1, një sukses që i jep kreun e Grupit F në kuotën e katër pikëve, plus 1 nga PSG.
Në përfundim të sfidës, trajneri Luis Enrique nuk e fshehu zhgënjimin për këtë humbje: “Ndeshje si këto janë gjithë të vështira për ne trajnerët. Gjithsesi, mendoj se djemtë patën sjelljen e duhur, por për të qenë i sinqertë mendoj se rezultati është pak i padrejtë. I bëj komplimentet e mia Newcastle për ndeshjen e madhe që zhvilluan”, u shpreh trajneri i PSG.
()