Ndalohen 3 shtetas të dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (secili me 1 vit e 4 muaj burgim), për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në Skrapar.
Tre të ndaluarit ishin pjesë e një bande kriminale u godit nga Policia, në vitin 2021, në kuadër të megaoperacionit antikanabis të koduar “Gjergjova”.
Gazetarja Eneida Petova raporton për BalkanËeb se të ndaluarit janë shtetasit Esmerald Kaposhi, 31 vjeç dhe Selfo Kaposhi, 39 vjeç, vëllezër, dhe të shtetasit Zylyftar Zhurda, 53 vjeç, të tre banues në Skrapar. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar secilin prej këtyre shtetasve, me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.
Të ndaluarit, në bashkëpunim me të tjerë, të organizuar si grup kriminal, gjatë periudhës 2020-2021, kultivuan në 3 parcela, në njësinë administrative Tërpan, bimë narkotike cannabis sativa. Kjo veprimtari kriminale u godit nga Policia, në kuadër të megaoperacionit anticannabis të koduar “Gjergjova”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.