Gola, emocione dhe spektakël pa limit në kryeqytetin italian, në takimin mes Lazios dhe Atalantës. Vendasit e drejtuar nga Sarri triumfuan 3-2, në Stadio Olimpico (Rome). Një autogol i De Ketelaere dhe Castellanos bënë që lacialët të shkonin në avantazh në dhomat e zhveshjes. Mysafirët ngushtuan shifrat me Ederson, në të 33-tën.
Bergamaskët u futën të karikuar në pjesën e dytë dhe dërguan shifrat në 2-2 falë mbrojtësit boshnjak Kolasinac. Vecino u shndërrua në heroin e Lazios, me golin e tij vetëm 7 minuta përpara fundit.
Titullarë (luajtën minutat e plota) ishin edhe 2 lojtarët e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj (Lazio) dhe Gjimshiti (Atalanta). Të dy mbrojtësit zhvilluan ndeshje të mirë, duke dhënë sinjale pozitive përpara sfidës së rëndësishme të kuqezinjve tanë ndaj Çekisë.
(J.S/)