Fillimisht Sylvinho, tani edhe Pochettino, ulin me këmbë në tokë ambientin. Nuk është koha për të festuar, nuk është koha për të pritur që Broja të bëjë i vetëm mrekullinë, as te Shqipëria, e aq më pak te Chelsea. Broja është një super talent, një lojtar më shumë potencial, por i duhet ende kohë për të qenë në maksimum e tij, dëmtimi që pësoi ishte shumë i rëndë, më i rëndi për një futbollist, për këtë arsye askush nuk duhet të nxitohet. Pak nga pak, Broja po fiton gjithnjë e më shumë minuta.
Kundër Burnley ishte sfida e dytë radhazi që sulmuesi kuqezi e nisi si titullar, por ndryshe nga derbi kundër Fulham, në këtë sfidë Broja nuk arriti të lë gjurmë, u zëvendësua nga Pochetino menjëherë me fillimin e pjesës së dytë. Në fund, Chelsea siguroi një fitore me “poker” golash ndërsa Pochettino u pyet sërish në lidhje me Brojën:
“Mos e krahasoni atë që bëra me Kejnin me rastin e Brojës. Ai është shumë i ri. Nëse dëshiron të luash për një klub të madh si Chelsea duhet të kesh durim dhe të tregosh se mund ta bësh. Sigurisht që ai duhet të provojë dhe të japë gjithçka për të qenë një sulmues tjetër në këtë superklub”, u shpreh Pochettino pas ndeshjes.
Tani topi i kalon Sylvinho-s për të parë se si trajneri i Kombëtares do të menaxhojë një lojtar si Broja. Sfida kundër Republikës Çeke është shumë e rëndësishme, Broja pa diskutim është një armë më shumë, por ashtu siç u shpreh edhe Sylvinho në konferencë për shtyp, “Shqipëria kryeson këtë grup pa Brojën në skuadër”.
()