Albi Nako gjatë një puntate në “DWTS Fan Club”, ka kritikuar anëtarin e jurisë Ilir Shaqiri duke e quajtur “dhelpër” dhe se pikët që ai jep nuk përshtaten me komentet që bën.
“Vë re shpesh herë në juri që ‘bravo të lumtë, ulu, katër’ dhe ‘nuk ishe fare mirë sot, ulu 10’”, është shprehur Albi Nako në një puntatë më herët në DWTS Fan Club.
Ilir Shaqiri është përgjigjur përmes një video të realizuar nga “DWTS Fan Club”, ku shprehet: Unë nuk kam këtë lloj ekstremi psiqik që të ha atë që them si koncept, origjinë, kritikë ose si vlerësim, ato pikë jap. I them Albit që ndoshta duhet të ulet dhe t’i rishikojë momentet, kur unë jam shprehur, si profesionist që është dhe ta analizojë më me ftohtësi këtë gjënë sepse të gjeneralizosh është shumë kollaj, të specifikosh është shumë e vështirë.
Ndërsa për deklaratën e Nakos, ku shprehet: Në një proces gjyqësor të pulës, nuk mund të jetë anëtar i jurisë një dhelpër në këtë rast. Dhelpra është Iliri dhe pula është Tokja (balerini).
Iliri i është kundërpërgjigjur duke u shprehur: Të komentoj njërën kafshë, apo kafshën tjetër nuk kam shumë dëshirë, por e thënë nga Albi është një kompliment. I kam komplet si shiu mbi mushama dhe nuk më prek asnjë gjë, jam mësuar me këtë lloj hidhe prit dhe më the e të thashë. Unë i uroj Albit të përfaqësojë në Fan Club atë që është zhaneri ynë, që është kërcimi dhe që ai e di shumë mirë në të gjithë kompleksin e fjalës kush jam unë, kush është ai dhe kush është gjithë dynjaja.
Gjatë Fan Club ditën e sotme, pasi pa reagimin e Ilirit përmes një video, Albi Nako shprehet: Në lidhje me batutën e dhelprës dhe pulës, është në kuadrin e një batute, ajo është një situatë e metaforizuar dhe nuk është se unë Ilirin e quaja dhelpër si karakter, si njeri, po ashtu edhe Tokjen me të gjithë respektin që kam e quaj pulë. Unë e shpjegova dhe herës që kaloi, që kjo është një situatë e mbartur nga “BBV”, këtu nuk është faji im që një pjesë e konsiderueshme e kastit janë kast nga “BBV” dhe për mua ngelet një fitil i ndezur në një kohë të shkuar dhe bombat apo shashkat shpërthejnë në këto lloj emisionesh.