Ish-kryeministri Sali Berisha, mbrëmjen e sotme ka zhvilluar një bisedë me të rinjtë demokratë, teksa ka komentuar dhe zhvillimet e sotme në komisionet parlamentare dhe tensionet që përfshinë deputetët.
Berisha u shpreh se këta të fundit kanë zgjedhur të bëjnë një betejë në Parlament dhe të luftojnë për interesat dhe idealet e popullit opozitar.
Ai u shpreh se në momentin që deputetëve u mbyllen dyert e zyrave të tyre dhe institucioneve, “kjo është gjëmë e vërtetë”.
“Ndiqni shërbimet që Rama i bën Beogradit. Është e paimagjinueshme që kryeministri të quhet në botë Pashiqi shqiptar apo kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit. Sapo erdhi në pushtet, si një demon, ai u vërsul drejt Kosovës me të gjithë skenarin e Beogradit. Së pari ta ndajë, ç’ti ndajë Kosovës, ajo i ka kufijtë me gjykatë ndërkombëtare. Me ato kufij e ka njohur 95% e botës së lirë.
Pasi dështoi nxorri projektin e Ballkanit të Hapur që ishte vendosja e hegjemonisë serbe në rajon. Fuqitë e mëdha në një gabim historik besuan se Ballkani qetësohet duke vendosur Serbinë si hegjemon të rajonit. Ajo i kushtoi rajonit gjakderdhjet më të mëdha në historinë e vetë, dhe ky tani shndërrohet në një argat që promovon çdo projekt të Beogradit.
Pashiqi shqiptar ka lidhje më të forta me Kremlinin se Millosheviçi dhe me Kishën atje. Ne po bëjmë një betejë në parlament. Deputetët kanë zgjedhur të luftojnë. Ata kanë zgjedhur vetë të luftojnë dhe po luftojnë për idealet dhe interesat e popullit opozitar, përndryshe diktatura është e plotë.
Kur deputetit i mbyllet dera e zyrës së tij, këtu kjo është gjëmë e vërtetë dhe nga kjo vetëm ju, me guximin dhe fuqinë tuaj mund ta shpëtoni Shqipërinë”, tha Berisha mes të tjerash.