Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Gazment Bardhi ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në studion e “Open” në News24, ku është përfshirë në një debat me gazetarët Robert Rakipllari dhe Erl Murati lidhur me hetimin e Sali Berishës nga SPAK.
I pyetur lidhur me rastin e hetimit të ish-kryeministrit Berisha nga SPAK për korrupsion, Bardhi u shpreh se kjo është një çështje personale e tij dhe se ai nuk ka një reagim.
Përballë pyetjes se përse e ka komentuar rastin e Arben Ahmetajt meqenëse atë të Berishës e konsideron personal, Bardhi u përgjigj se ish-ministri i Financave i kishte shkaktuar dëme shtetit, por u përball me argumentin se edhe privatizimi i ish-kompleksit ka bërë të njëjtën gjë.
Bardhi këmbënguli duke kërkuar prova për dëmet që i janë shkaktuar shtetit nga ky rast, kërkesë së cilës iu shtrua fakti se në terrenin e ish-kompleksit sportiv janë ndërtuar 19 kulla.
Deputeti i PD u përgjigj thjesht me “e çfarë pastaj” dhe theksoi sërish se kjo është një çështje personale e Sali Berishës.
Më tej kreu i grupit të PD u shpreh se “nuk ka një mendim” kur u pyet lidhur me dosjen konkrete të ish-kompleksit Partizani, dhe krahasimit të saj me denoncimet e demokratit për Ilir Beqjan dhe çështjen e “sterilizimit”.
Pjesë nga debati:
Rakipllari: Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e ka thirrur sot Sali Berishën, është një deputet i grupit tuaj parlamentar. Ke një standart ti?
Bardhi: Po kam. Nuk ndërhyj në çështjet e cilitdo deputet të parlamentit.
Rakipllari: A e mbështet SPAK, e ka shkelur SPAK kushtetutën sepse Berisha ashtu thotë?
Bardhi: E mbështes SPAK-un.
Rakipllari: Duhet të shkonte Berisha sot?
Bardhi: Është çështje e tij personale, duhet të pyesni zotin Berisha për këtë rast.
Rakipllari: Po Arben Ahmetajn e komenton ti kur arratiset dhe nuk shkon në gjykatë, nuk thoshe është një rast i zotit Ahmetaj dhe nuk shkon.
Bardhi: Në rastin e Ahmetajt kam mbajtur një qëndrim timin aq sa më takon mua si parlamentar, sikundër kam thënë me të njëjtin standard nëse do vinte në Kuvend kërkesa për Gazment Bardhin nga drejtësia, unë do votoj pro.
Rakipllari: A ka shkelje kushtetuese nga SPAK për kërkesën për Berishën?
Bardhi: Nuk kam ndryshuar qëndrimin tim. Heqja e imunitetit të çdo deputeti duhet të bëhet me autorizimin e Kuvendit. Nëse nuk bëhet është shkelje.
Rakipllari: A është SPAK sot i varur nga Rama?
Bardhi: Mund të ketë prokurorë të caktuar që kontrollohen nga Rama, një prej tyre është ai që Rama donte në krye të SPAK-ut.
Rakipllari: Janë dy mendime brenda opozitës, kemi Berishën që e quan SPAK-un “SKAP” dhe e quan drejtësi me regji dhe pastaj jeni ju që e keni mbështetur SPAK deri më parë dhe tani nuk jeni i qartë.
Bardhi: Pse nuk jam i qartë, në këtë rast ka shkelur Kushtetutën.
Rakipllari: SPAK-u pas disa goditjeve majtas ka hapur çështje ndaj ish-kryeministrit Berisha, ju si e konsideroni?
Bardhi: E kam thënë dhe e them, mbështes barazinë para ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin. Nuk i hyj as meritës së çështjes konkrete sepse as nuk ka ardhur në Kuvend.
Rakipllari: Duhet të shprehesh si kryetar i grupit parlamentar fillimisht. Nuk e kam për detyrë të komentoj rastet personale, inceneratorët kanë ardhur në Kuvend.
Rakipllari: Sterilizimi nuk ka ardhur në Kuvend, e keni komentuar Ilir Beqjan.
Bardhi: E ka thënë gjykata.
Rakipllari: Dhe këtë e ka thënë gjykata. E ke parë vendimin e gjykatës për Berishën, çfarë mendimi ke?
Bardhi: Nuk kam mendim.
Rakipllari: Bravo.
Bardhi: Unë nuk po fshihem fare, po respektoj mandatin që kam si deputet. Nuk e komentoj meritën e çështjes. Unë komentoj aferat që i shkaktojnë dëme shtetit.
Rakipllari: Edhe kjo i ka shkaktuar dëme miliona shtetit. Është shpërdorim.
Bardhi: Ma gjej një provë.
Rakipllari: Ta gjej unë. Gjykata thotë se një terren sportiv është kthyer në 19 kulla dhe ka korrupsion.
Bardhi: E çfarë pastaj?
Rakipllari: Ke një koment për këtë? Ti ke koment për të gjitha, a ke për këtë?
Bardhi: Ma gjej ku është vjedhja e buxhetit të shtetit dhe flas unë. Kjo është çështje e ligjit. Nuk ka të bëjë me cënimin e buxhetit të shtetit. Është çështje personale e zotit Berisha.
Rakipllari: Pse nuk ishte personale për Ahmetajn?
Bardhi: Nuk ishte personale sepse edhe sot merr para për inceneratorët nga buxheti i shtetit. Detyra ime si opozitar është të denoncoj rastet e korrupsionit dhe shkeljeve. Kush ka përgjegjësi duhet të mbajë përgjegjësi.
Bardhi: Në rastin e komisioneve hetmore është ¼, në rastin e mocioneve është 1/10, por kur e kërkon 1/10 mocionin për GJK, kuvendi është i detyruar t’ia ccojë GJK.
Murati: e Kanë futur në kalendar
Bardhi: Jo
Murati:Po e kanë futur.
Bardhi:Mos thuaj po kot, jam unë në Kuvend, mos thuaj po kot. E mban Lindita Nikolla në sirtarin e saj në zyrë dhe nuk e nxjerr.
Murati:Është çështje interpretimi.
Bardhi: Nëse i drejtohemi sot GJK për komisionet hetimore do duhen 6 muaj për ta shqyrtuar dhe 8 muaj ta zbatojë Lindita Nikolla, mbaroi gjithçka.