Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në një intervistën për gazetën Il Messaggero ka komentuar nënshkrimit të marrëveshjes me homologun e saj shqiptar Edi Rama, në bazë të të cilës do të krijohen në Shqipëri dy qendra të mbyllura qëndrimi për emigrantët e parregullt.
“Kjo është një marrëveshje që forcon partneritetin strategjik me Shqipërinë dhe vendos tre objektiva: luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, parandalimin e flukseve të parregullta migratore dhe mundësinë për të mirëpritur, në Evropë, vetëm ata që kanë të drejtën e vërtetë të mbrojtjes ndërkombëtare”, theksoi kryeministrja italiane.
Meloni shpjegoi në të njëjtën kohë se kjo marrëveshje ka të bëjë vetëm me emigrantët që shpëtohen ndërsa ndodhen në det dhe se do të krijohen dy qendra në veri të Shqipërisë, konkretisht në Shëngjin dhe Gjadër.
“Ne e kemi informuar Komisionin Evropian pa asnjë problem. Besoj, përkundrazi, se ky protokoll mund të kthehet në një model bashkëpunimi midis vendeve të BE-së dhe shteteve që nuk janë anëtare të Unionit, në drejtim të menaxhimit të flukseve migratore”, shtoi ajo.
Sipas Melonit “kjo është një marrëveshje e bazuar në një frymë të fortë europiane”, ndërsa shtoi se “është e rëndësishme të theksohet se, pavarësisht se Tirana nuk është ende anëtare e BE-së, ajo sillet sikur të jetë në BE, me zgjedhje që përputhen plotësisht me parimet e solidaritetit dhe bashkëpunimit, të cilat përbëjnë bazën e familjes evropiane”.