Detyrimet e pashlyera ndaj ish lojtarëve, apo ish drejtuesve, ka bërë që Komisioni i Disiplinës të reagojë fuqishëm ndaj tre klubeve të Superligës. Për herë të parë, nuk është FIFA, por FSHF që bllokon merkaton e klubeve. Tiranës i bllokohet merkato në hyrje në tre sesionet e ardhshme pasi klubi bardheblu nuk ka shlyer detyrimet ndaj dy ish lojtarëve, Asion Daja dhe Edon Hasani. Për mos shlyerje të detyrimeve ndaj ish drejtorit sportiv Arbi Laçi edhe Dinamos i bllokohet merkato në hyrje për tre sesionet e ardhshme. Me tre sesione bllokim të merkatos është dënuar edhe Skënderbeu, për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj ish lojtarit të tyre, Dejvi Bregu. Merkato mund të zhbllokohet menjëherë nëse këto tre klube shlyejnë detyrimet e tyre. Ndërkohë, as këtë herë nuk munguan gjobat për shkak të sjellës së tifozëve, me 100 mijë lek u dënuan Tirana dhe Skënderbeut. Në vendimet e fundit, Disiplina ka pranuar që klubi i Dinamos të shlyej me gjobë pjesën e mbetur të dënimit për futbollistin Bakary Goudiaby:
- KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;
- KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;
- Zyrtari i FK Apolonia, Robert Caushaj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë;
- Lojtari i KF Butrinti, Ardit Jaupaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë
- Zyrtari i KF Butrinti, Dhiogjen Muço, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë
- KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 5, datë 09.07.2021 dhe vendimit nr. 5, datë 02.06.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
- FC Dinamo, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 2, datë 06.03.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
- KF Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 1, datë 10.06.2022 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
- Pranimin e kërkesës së FC Dinamo për konvertimin të pjesës së mbetur të dënimit për lojtarin Bakary Goudiaby në bazë të nenit 75 të KDE.
- Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Teuta, Fatmir Koci, pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 34/1 të KDE, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
- Rrëzimin e kërkesës së zyrtarit të KF Tirana, Akil Jakupi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.
- Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Besëlidhja, Klejdi Dibra, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.