Suksesi i Shqipërisë vijon të bëjë jehonë në mediat ndërkombëtare. Trajneri Sylvinho është më i kërkuari për të zbuluar pak më shumë nga rrugëtimi i Kombëtares shqiptare në Euro2024. Së fundmi, tekniku brazilian është intervistuar nga “cronache di spogliatoio”.
Trajneri shprehet se objektivi i tij është ta dërgojë Shqipërinë në Botëror pas “Euro 2024”, si dhe zbulon urimin e Mançinit pas suksesit që braziliani arriti.
“Në vërshëllimin e fundit të gjyqtarit kundër Moldavisë, shpërtheva. Kam nxjerrë jashtë gjithë ankthin dhe gëzimin e 10 muajve punë. Kam vrapuar për të festuar me njerëzit kualifikimin për në Europian”, thotë fillimisht Silvinjo.
I pyetur se kur kishte dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë, trajneri thotë se nga Rei Manaj: “E dija ekzistencën e Shqipërisë vetëm përmes Rei Manajt që e kam trajnuar tek Interi. Nuk dija asgjë më shumë. Më pas kam mbërritur aty dhe kam parë që të gjithë njerëzit flasin italisht, e njohin, flasin anglisht, spanjisht. Është e rëndësishme që një trajner të flasë pa një përkthyes”, ishin fjalët e Silvinjos.
BRAZIL-SHQIPËRI- Trajneri 49-vjeçar shprehet se ka një ngjashmëri mes shqiptarëve dhe brazilianeve dhe kjo është vënë re nga vetë ai: “Shqiptarët janë njerëz të ngrohtë dhe mikpritës, si ne brazilianët. Më kanë bërë që të ndihem si në shtëpi, që në fillim kur kam ardhur: më kanë ofruar kafe dhe darkë kudo”, shprehet trajneri i Shqipërisë.
MBËSHTETJA – Shqipëria mori një barazim tepër të rëndësishëm në Pragë, ku goli i Bajramit ishte si një pikë kthese për këtë kualifikim. Atmosfera në stadium sipas Silvinjos ishte e jashtëzakonshme, kur shumë shqiptarë e bënë atë të ndihej sikur luante në shtëpi: “Kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme në Pragë, kundër Republikës Çeke. Më dukej dikur luaja në shtëpi. Ishte plot me shqiptarë”, tregon Silvinjo për ndjesitë e asaj transferte.
MANÇINI E URON- Trajneri brazilian zbulon urimin që ka marrë pas suksesit: “Pas kualifikimit më ka shkruar Mançini dhe më ka dërguar komplimentet e tij. Më ka trajnuar dhe më pas kam qenë ndihmës i tij tek Interi. Është një fitues, Inter, Siti dhe te Kombëtarja. Kudo që ka drejtuar e ka çuar skuadrën në një nivel shumë të lartë”, thotë ai.
PAS “EURO 2024”- “Shqipërisë nuk duhet t’i mjaftojë kualifikimi. Nuk duhet të shkojë në Europian dhe pastaj të zhduket. Dua të krijoj një mentalitet që në çdo Europian dhe Botëror, Shqipëria të kualifikohet. Ky është objektivi im pas Europianit. Dua që të dërgoj Shqipërinë në Botërorin e 2026. Ky duhet të jetë vetëm fillimi”, përfundon trajneri.
()